Rritja e numrit të të infektuarve me virusin korona po e vendos Maqedoninë përsëri në “listën e zezë” për udhëtime në shtetet e BE-së. Vendimi do të sillet nesër nëse do të përkrahet nga të gjitha shtetet anëtare.
Kufizime në kalimet kufitare ka vendosur edhe vendi ynë. Duke filluar nga data 01 shtator, apo nga e mërkura të gjithë qytetarët të cilët do të udhëtojnë jashtë Maqedonisë, si të vendit por edhe të huajt do të duhet të jenë të pajisur me certifikatën e vaksinimit COVID-19, ose duhet të kenë kryer testin PCR (jo më vonë se 72 orë nga udhëtimi) ose testin e shpejtë antigjen (jo më vonë se 48 orë). Edhe për hyrje në Maqedoni do të kërkohet njëri nga këto kovid dokumente, e nëse nuk i keni shkoni në karantinë.
Shtetasit të cilët do të udhëtojnë tranzit për në Maqedoni, duhet të plotësojnë një deklaratë në Pikat e Kalimit Kufitar me Maqedoninë e Veriut.
Bullgaria e ka vendosur vendin tonë në listën e vendeve me rrezik nga Covid-19 prandaj në këtë shtet, nuk mund të hyni pa një test PCR ose certifikatë vaksinimi.
Masa të këtilla ka vendosur Kosova e cila ka rikthyer kufizimin e lirisë së lëvizjes.
Masat janë në fuqi nga data 28.08. deri më 13.09. Po ashtu qeveria kosovare vendosi që viti i ri shkollor që parashikohet të fillojë më 1 shtator, të shtyhet për dy javë deri më 13 shtator. Njëjtë nga 1shtatori hyrja në Kosovë do të jetë me kushte. Greqia nuk do të lejojë personat e pavaksinuar të hyjnë nëpër objekte gastronomike, kulturore por edhe shëndetësore si dhe vende tjera, të punësuarit duhet të paktën njëherë në javë të testohen, gjithashtu do të kërkohet test ose vaksinë gjatë hyrjes në këtë shtet, e masat e reja do të hyjnë në fuqi më 13 shtator. Ndërkaq fqinji ynë perëndimorë Shqipëria dhe ai verior Serbia, nuk kanë paralajmëruar kufizime apo kushte për të kaluar kufijtë.
