Kabineti i Xhaferit: Milloshoski gënjen! Pohimet për takim me delegacion nga Çeçenia janë të pasakta

TË FUNDIT

Akuzat e Antonio Millososkit se kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi u takua fshehurazi me një delegacion çeçen në parlament korrikun e kaluar janë gënjeshtra. Kështu thuhet në reagimin e kabinetit të kryeparlamentarit Xhaferi, ku thonë se takimi ka qenë me përfaqësues të Forumit Mysliman Evropian.

“Antonio Milloshoski gënjen! “Çfarë i ka premtuar Talat Xhaferi delegacionit të Çeçenisë që e ka vizituar Kuvendin?” është pyetja që nuk ka përgjigje, pasi Kryetari nuk ka pasur takim me delegacionin e Çeçenisë. Në ditën që theksohet në informacionet e portaleve, 8 korrik, Kryetari Xhaferi kishte takim me delegacionin e Forumit Mysliman Evropian Abdul-Vakhed Nijazov, kryetar i Forumit evropian mysliman. Në kohën kur Evropa dhe Bota po mbajnë konferenca për luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave, deputeti ia lejon vetes të liferojë lajm që absolutisht është i pasaktë dhe që ka për qëllim ta dëmtojë, jo vetëm Kryetarin Xhaferi, por edhe Kuvendin dhe shtetin”, thonë nga Kabineti i presidentit të Xhaferit.

VMRO-DPMNE përsëriti sot pretendimet për takimet e të Xhaferit me një delegacion çeçen.

“Talat Xhaferi me sjelljen e tij është rrezik për sigurinë kombëtare. Ka dyshime se ai ka takuar njerëz që janë rrezik potencial për partnerët tanë strategjikë. Talat Xhaferi, por edhe qeveria e LSDM-së dhe BDI-së janë të obliguar t’i shpjegojnë opinionit: Pse ka fshehur se gjatë takimit me delegacionin ka pasur njerëz me interes për sigurinë dhe kur ka planifikuar ta informojë opinionin për këtë fakt?”, tha Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.

Pas VMRO-DPMNE-së, të njëjtat akuza ka bërë edhe Aleanca për Shqiptarët.

“Ata që e kanë gojën plot retorikë për integrime dhe akuza ndaj të tjerëve për Rusinë, u demaskuan vetë në mënyrën më skandaloze. Në prag të 20 vjetorit të partisë së tyre, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka pritur një delegacion të bashkëpunëtorëve të Ramazan Kadirovit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarë.

Akuzat ndaj Xhaferit dje erdhën nga Antonio Milososki i cili në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Kryetari i Kuvendit ka pritur një delegacion rus nga Çeçenia.