Kanë fituar 100 e më tepër medalje në garat vendore dhe ballkanike. Dëshira më e madhe e Karateisteve të klubit karatesë “Forca”, është që në të ardhmen të rrëmbejnë medaljet olimpike dhe botërore. Trajneri Muharrem Imeri, thotë se ky klub numëron shumë fëmijë të talentuar, të cilat shpesh herë në gara të kategorive të ndryshme arrijnë të renditen të parët. Imeri tregon se klubi nga gara të ndryshme ka siguruar numër të madh të medaljeve. Sipas tij, sporti është receta më e mirë kundër telefonit dhe internetit.
“Trofe kemi shumë, medaljet nuk mund t’i numërojmë, janë me qindra, shumë. Ne numërojmë edhe shumë medalje ballkanike, kampionate të Maqedonisë, shumë kampionë të Maqedonisë, në dy stile: kata dhe komite. Në aktivitetin e fundit që morëm pjesë, morëm pjesë në dy aktivitete në këtë vikend, në “Gazi Baba Open” dhe “Ulqini Open”, deklaroi trajneri Muharrem Imeri.
Edhe pse vetëm 11 vjeçare, ëndrra dhe dëshira e Dhurata Memetit është që ajo të arrij në Kampionatin botërorë. Ajo në supet e saja numëron shumë suksese dhe mban shumë medalje. Nga gjithsej 120 medalje të fituara, Dhurata ka 80-të medalje të arta.
“Në ‘Gazi Baba Open’, arrita të renditem në dy vendet e para në dy kategori, në “Kata” dhe në “Luftë”. Në Kroaci ku arrita të fitoj një vend të parë, por shumë gara tjera kamë fituar. Kam mbi 120 medalje të cilat mbi 80 janë të arta”, tha Dhurata Memeti.
Verona Ajdini tregon se pse ka zgjedhur këtë sport luftarak. Thotë se këtë vendim e morri pasi dëgjoi zemrën e sajë.
“Ndjehem shumë e lumtur ngaqë është diçka që buron nga shpirti. Numëroj dy medalje ballkanike, është medalja e argjend nga kampionati ballkanik për kadet. Ashtu është edhe medalja e fundit ballkanike e fituar në dhjetor të vitit 2018. Medalja bronz në kampionatin ballkanik. Synoj edhe shumë medalje tjera, por si të gjithë sportistët edhe unë, synoj medaljen e artë olimpike”, deklaroi Verona Ajdini.
Jelda Imeri, është një tjetër karateiste e vogël, por me ambicie dhe arritje të mëdha. Edhe pse vetëm 10 vjeçare, Jelda ka arritur që prindërit e sajë t’i gëzojë dhe në sirtarët e sajë të rendis disa medalje të arta.
“Mësova shumë gjëra, u bëra kampione në Maqedoni dhe Shqipëri. Tani isha në Ulqin dhe fitova dy vendet e para në “Kata” dhe “Lufta”. Në fillim ishte vështirë, kur arrita të bëhem kampione u mësova. I kamë 100 medalje. Dua që të bëhem kampione e Ballkanit dhe Evropës”, tha Jelda Imeri.
Ndryshe, trajneri Muharrem Imeri thotë se tani është më e lehtë se në vitet e kaluara. Sipas tij, tani fëmijët kanë më shumë përkrahje nga prindërit dhe kanë më shumë hapësirë për tu marrë me sporte të ndryshme. Sipas tij ndryshimet janë pozitive dhe numri i të interesuarve për sportet luftarake po shtohet.
