Reformat e reja në shëndetësi lehtësojnë pritjen e qytetarëve para dyerve të klinikave për një recetë për terapi nga një specialist. Tanimë përshkrimin e terapisë për marrjen e pesë barërave që deri më tani e kanë dhënë vetëm specialistët e fushës, do të mund ta japin edhe mjekët amë.
“Nga mëngjesi po funksionon sistemi edhe atë jo vetëm në letër, por funksionon në një rend të rregullt për pesë diagnozat siç janë si diabeti, hipertensioni, astma, hipotiroidizmi, zvogëlimi i punës së gjëndrës tiroide dhe tanimë ky është realitet dhe me këtë do të zvogëlohet edhe pritjet e pa nevojshëm dhe do tu mundësojmë profesionistëve në dikasterin sekondar dhe terciar “, theksoi Fatmir Mexhiti-ministër i Shëndetësië.
Së shpejti do të ketë ndryshime edhe në aspektin laboratorik dhe do të zgjerohet lista e ilaçeve që do të mund ta përshkruajnë edhe mjekët amë. Një pjesë e listës së barërave që nuk është përditësuar për 15 vite do të përditësohet, dhe disa nga ilaçet do të mund t’i jap edhe mjekësia primare, gjegjësisht mjekët amë. Reforma e radhës pritet brenda 30 ditësh.
“Në etapa do të zhvillohen dhe ndryshimet tjera, në të ardhmen do të vazhdojmë edhe me ndryshimet laboratorike, do të kemi edhe këtu reforma. Do të mund të jepet edhe ajo që nënkupton L1, L2 dhe reformat ngadalë në etapa duhet të zhvillohen dhe do të zhvillohen”, deklaroi Fatmir Mexhiti-ministër i Shëndetësië.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë mbi 30% e pacientëve në ditë në klinikat e Shkupit vijnë vetëm për vazhdim të terapisë, shërbim ky që tanimë do të mund të kryhet dhe nga mjeku amë.
