Katica Janeva dha dorëheqje nga posti i kryeprokurores së PPS-së. Ajo në kumtesën deri te opinioni theksoi se arsyeja kryesore për një hap të tillë është fakti që nuk dëshiron që të jetë pjesë e kalkulimeve të partive politike në lidhje me negociatat për Ligjin për PPS-në. Janeva theksoi se dorëheqja do të jetë e vlefshme pasi që të miratohet zgjidhja e re ligjore dhe pasi të zgjidhet pasardhësi i saj.
“Me muaj po ndjek artikujt e mediave për negociatat mes grupeve të punës së partive politike për të ardhmen e PPS-së. Ja, sot po e shfrytëzoj rastin që të informoj opinionin se nuk do të lejoj që emri im të shfrytëzohet si alibi nga dikush që të mbajë të robëruar fatin e Prokurorisë publike speciale dhe integrimet evropiane të vendit tonë”, tha kryeprokurorja në Prokurorinë Publike Speciale, Katica Janeva.
Janeva publikoi se tërhiqet nga PPS-ja vetëm gjysmë ore pas konferencës për media të kryeministrit Zoran Zaev, i cili tha se të premten i thërret partitë politike në takim liderësh ku duhet të bisedohet edhe për Ligjin për PPS. E dyshimtë është ajo që vetëm para dhjetë ditëve, ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, tha se LSDM nuk insiston që Janeva të mbetet në krye të PPS-së.
Megjithatë Janeva në maj të këtij viti tha se planifikon që edhe pas 15 shtatorit kur do t’i mbarojë mandati, të kandidohet që përsëri të jetë në krye të PPS-së.
“Mandati im skadon në shtator sipas ligjit për PPS. Tani nëse sillet ligj i ri, mua nuk më skadon mandati më 15 shtator, nëse sillet ligji tani. Siç thashë edhe më parë do të konkurrojë që përsëri të jem prokurore publike speciale”, u shpreh Katica Janeva, kryeprokurorja në Prokurorinë Publike Speciale.
Dorëheqja e Janevës vjen në kohë kur negociatat mes pushtetit dhe opozitës për Ligjin për PPS-në kanë ngecur, ndërsa opozitarja VMRO-DPMNE-ja insiston që ajo më të mos jetë në krye të kësaj prokurorie. PPS-ja u formua pas publikimit të “bombave” nga LSDM-ja, e cila atëherë ishte në opozitë, me qëllim që të zbulojë se kush ka përgjuar në mënyrë joligjore, por edhe të hap hetime për përndjekje të veprave penale në lidhje me përgjimet joligjore.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
