Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nëpërmjet një komunikate sot ka reaguar se Qyteti i Shkupit me punimet që ka bërë në sheshin e Shkupit “Maqedonia” ka mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezë dhe pllakës përkujtimor të saj.
“Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit “Maqedonia”, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit”.
ITSHKSH këtë e quan si veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm i Qytetit të Shkupit.
“Nisur nga kjo, kërkojmë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike, është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe”, – thuhet në reagimin e ITSHKSH-së.
