“Ishim bashkë në burgjet e Serbisë”, Kurti rrëfen historinë e mësuesit Osman Jakupi

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Mësuesit, ka takuar një mësimdhënës me të cilin kishte qëndruar në burgjet e Serbisë.

Kurti tregoi historinë e Osman Jakupit nga Baksi, i cili tha se ishte plagosur e malltretuar në spital e burg, derisa katër familjarë ia kishin vrarë.

“Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Gjatë ditës, Kurti ka vizituar edhe Afërditën që është vajza e mësueses së tij.

“Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III. Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit”, ka shkruar tutje Kurti.