Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në ClickPlus në TV21 tha se ekonomia e Maqedonisë së Veriut nuk është e ndërlidhur me atë të Rusisë dhe Ukrainës, por sipas tij lufta ruso-ukrainase do të ketë ndikim të madh indirekt në ekonominë tonë.
“Patjetër që në fushën e energjetikës do të ketë efektet më të mëdha anësore. Nga këto vende vijnë 40% e gazit dhe 25% e derivateve të naftës. Kjo do të ketë efekt më të madh në transport. E dimë që kostot e transportit janë rritur me 15% dhe tani mendoj se do të rriten edhe më shumë. Zinxhiri i furnizimit është i ndërprerë dhe kjo reflektohet fuqishëm dhe mund të rezultojë në një reduktim të furnizimit me ushqim. Ne e dimë se Rusia dhe Ukraina përbëjnë 30% të eksporteve botërore të grurit. Pra nuk do të kemi ndikim direkt, por indirekt do të kemi shumë”, tha mes tjerash Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
