Presidenti Stevo Pendarovski e mbështeti nismën e disa partive politike që e dorëzuan në kabinetin e tij e cila ka të bëjë me reforma të modelit zgjedhor përmes ndryshimit të Kodit zgjedhor. Nga Vila Vodno njoftojnë se kjo ide është në drejtim të krijimit të modelit zgjedhor proporcional me lista të hapura dhe uljes së numrit të njësive zgjedhore.
“Presidenti Pendarovski u bën thirrje partive politike, edhe të pushtetit edhe të opozitës, ta shqyrtojnë mundësinë për reforma në modelin zgjedhor përmes ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe me konsensus politik të arrihet marrëveshje për model zgjedhor proporcional me lista të hapura, ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin jo vetëm parti politike, por edhe kandidatë individualë”, thonë nga Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut.
Lupço Nikollovski i cili para pak kohe u emërua sekretar i përgjithshëm i ri i LSDM-së tha se këtë çështje e kanë hapur edhe para zgjedhjeve. Sipas tij, për ndryshimin e modelit zgjedhor nevojitet konsensus nga të gjitha partitë politike.
“Jemi të gatshëm për rihapjen e kësaj çështjeje për diskutim. Parimi i një njësisë zgjedhore do të thotë demokraci më e madhe. Duam që t’i përfshijmë edhe qytetarët në sjelljen e vendimeve”, u shpreh Lupço Nikollovski, Sekretar i Përgjithshëm i LSDM-së.
Edhe nga VMRO-DPMNE-ja me përkrahje për hapjen e debatit për të gjitha çështjet, veçanërisht për çështjen e modelit zgjedhor. “Le të ngrehet nismë në Kuvend, organet e partisë do të takohen dhe menjëherë pas kësaj do të dalim me qëndrim konkret”, thonë nga kjo parti.
Nga BDI-ja thonë se një njësi zgjedhore është zgjidhje e pranueshme.
“Ka kërkesë edhe nga Bashkimi Evropian që sa më shpejtë të rregullohet çështja e zgjedhjeve dhe Kodit Zgjedhor. E dini se ka një propozim që KSHZ-ja të jetë një trup profesional, kurse 6 muaj para zgjedhjeve, vetë partitë politike t’i përcaktojnë përfaqësuesit e tyre për mbikëqyrje dhe kontroll, por edhe masa të tjera thelbësore të cilat dalin nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ky proces është në procedurë dhe ne si parti jemi të gatshëm menjëherë të hyjmë në atë proces dhe t’i shqyrtojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të jenë ende më të mira”, deklaroi Bujar Osmani nga BDI.
Sistemi zgjedhor proporcional zbatohet në 20 vende, anëtare të Bashkimit Evropian. Në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet zbatohen lista të mbyllura. Shteti është ndarë në 6 njësi zgjedhore prej te cilave zgjidhen nga 20 deputetë.
Përgatiti: TV21
