Igli Tare sulmohet nga një pitbull

TË FUNDIT

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Drejtorin e klubit italian të futbollit Lazio, shqiptarin Igli Tare.

Një ditë më parë, Drejtori i Lazios është sulmuar në rrugë nga një qen i racës pitbull, që i ka shkaktuar plagë në trup si dhe i ka marrë jetën qenit të tij.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të rezidencës së tij në zonën Olgiata të Romës, ku Drejtori i Lazios kishte dalë për të shëtitur dy qenët e tij, njëri prej të cilëve i racës barboncino.

Pitbull, i cili i kishte shpëtuar kontrollit të padronit ka sulmuar papritmas Drejtorin e Lazios duke i shkaktuar plagë të lehta e po ashtu edhe njërit prej dy qenëve të tij.

Ndërsa, qeni tjetër i racës barboncino nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve.

Komiteti i banorëve të zonës rezidenciale Olgiata në Romë ka bërë me dije se kanë ndërmarrë një aksion civil e legal ndaj kësaj ngjarjeje në mënyrë që të mos përsëritet më, për mbrojtjen e sigurinë e të gjithë komunitetit banues të kësaj lagjeje, të cilët ndihen të tronditur nga rasti.

Tifozat lacialë kanë shprehur përmes rrjeteve sociale solidaritetin e keqardhjen e tyre Drejtorit të Lazios Ilgi Tare.