Hetimi për korrupsion, Kurc mbetet pa imunitetin e deputetit

TË FUNDIT

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurc sot mbeti pa imunitet të deputetit pasi që ligjvënësit unanimisht votuan të spastrohet rruga për hetim të hapur kundër tij për korrupsion, lajmëroi DPA.

Madje edhe Kurci dhe anëtarët e partisë të tij centriste-djathtiste popullore (OVP) e mbështetën hapin, për të cilin thonë se është i domosdoshëm që sa më shpejtë të pastrohen akuzat.

Kurci dhe grupi i tij i ngushtë i mbështetësve akuzohen se kanë shfrytëzuar para shtetërore për të fituar rezultate të volitshme nga hulumtimi që nxiti ngritjen e tij në pozitën e liderit të OVP-së e më vonë edhe kancelar. Ai, gjithashtu, akuzohet për dhënie të deklaratave të rrejshme para hetimit parlamentar për skandal të ndryshëm me një partner të mëparshëm të koalicionit.

Kurci i hodhi poshtë të gjitha akuzat, shton DPA.

Bastisjet më 6 tetor në kabinetin e kancelarit, selinë e OVP-së dhe Ministrinë e Financave shkaktuan disa zbulime – dhe presion për votim të mosbesimit – që e detyroi Kurcin të tërhiqet nga funksioni më vonë gjatë muajit. Por, ai mbetet deputet dhe vazhdon të jetë shef i partisë dhe shef i grupit të saj të deputetëve.