Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si shqetësim serioz dhe çështje që duhet të adresohet kërcënimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Një ditë më parë, Vuçiq deklaroi se për këtë çështje ka ftuar edhe ekspertë.
Gjatë organizimit të edicionit të nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu u ka bërë thirrje diplomatëve kosovarë që të flasin për këtë, siç e ka cilësuar ajo, kërcënim serioz të Serbisë ndaj Kosovës, në vendet ku shërbejnë.
“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasojë shumë përtej një çështjeje teknike ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Ksoovës është i papranueshëm dhe se idetë e tilla që ngjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, është shprehur Haxhiu.
Tutje, Haxhiu ka folur edhe për gërmimet që po zhvillohen në lokacionet në Zubin-Potok. Ajo ka thënë se edhe për këtë çështje diplomatët duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e vendeve ku shërbejnë.
“Për diplomatët tanë kjo duhet të jetë një çështje e vazhdueshme e komunikimit me Qeveritë dhe institucionet e vendeve ku shërbejnë. Partnerët tanë duhet ta dinë që edhe sot në Kosovë po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, ende pret përgjigje. Prandaj duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hap arkivat”, ka deklaruar Haxhiu.
Para pak ditësh, u identifikua dhe u konfirmua prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar në Zubin-Potok, gjatë vazhdimit të hetimeve për rastin e krimeve të luftës.
Kërkesa që Serbia t’i hapë arkivat, me qëllim të zbardhjes së fatit të rreth 1,600 të pagjeturve, është riaktualizuar pikërisht pasi, brenda pak më shumë se një jave, u zbuluan tri varreza masive në Zubin-Potok.
Gjithashtu, është kërkuar nga Bashkimi Evropian që Serbia të zbatojë plotësisht zotimet e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Nëpërmjet kësaj deklarate, në vitin 2023, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin dakorduar në dialog për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
