Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022. Prokuroria tha se në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nisë procesi gjyqësor. Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Ai ia ka kujtuar gjykatës se në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë dhe deri në fillimin e gjykimit është pritur deri në tre vjet e gjysmë. Edhe kjo periudhë, sipas tij është e gjatë, por theksoi nevojën që mbrojtja kërkon kohë të mjaftueshme për të trajtuar çështjen dhe provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë.
Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Krimet e pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
