Gjoba nga 500 deri në 10.000 euro, si dhe mbyllje të bizneseve parashihen me ligjin e ri për mbrojtje të konsumatorëve nga praktikat e pandershme tregtare.
“Në varësi prej madhësisë së kompanisë, sillen nga 500 deri në 10.000 euro. Në pjesën e personave fizik apo tregtarët personal gjobat janë më të vogla, por dispozitat tjera vlejnë për të gjithë. Rreth sanksioneve kundërvajtëse është paraparë edhe ndalesa e përkohshme për kryerjen e profesionit, nga 3 muaj deri në dy vjet, nga ana e gjykatës, për tregtarët e mesëm dhe të mëdhenj, dhe 15 deri 30 ditë për tregtarët mikro-tregtarët e vegjël, nga ana e komisionit për vendosjen e sanksioneve”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Ky ligj, jo rastësisht është sjellë tani duke marrë parasysh se në treg janë në fuqi disa vendime të qeverisë për mbrojtje nga çmimet shumë të larta. Në këtë drejtim, ministri theksoi se e përcjellin situatën në bazë ditore me qëllim që të sillen vendimet e duhura. Ai gjithashtu nuk e hodhi poshtë mundësinë që muajt në vazhdim të ketë edhe ngrirje të çmimeve.
“Në pjesën e ngrirjes totale të çmimeve, kemi afat edhe 2-3 javë që të fillojë korrja e produkteve bujqësore, ato që janë strategjike dhe mund të ndikojnë në çmimet e produkteve nacionale, nëse shohim se nuk po respektohet vendimi për ngrirje të marzhave në pajtim me të gjitha analizat si dhe çmimet importuese dhe çmimet prodhuese, si dhe disa shpenzime tjera që merren parasysh gjatë formimit të çmimeve, gjithmonë qëndron opsioni edhe për sjellje të një vendimi të tillë”- tha Kreshnik Bekteshi, Ministër I Ekonomisë.
Deri në fund të javës pritet të ketë ende ulje të çmimeve, si pasojë e vendimit për kufizim të marzhës tregtare, e nëse nuk ka, ministri Bekteshi paralajmëroi masa të reja në seancën e ardhshme të Qeverisë. Ndryshe, Ligji i ri për Mbrojtje të Konsumatorëve duhet të kalojë edhe në Kuvend ndërsa me hyrje në fuqi shkeljet ose parregullsitë tregtare do të mund t’i paraqesin edhe qytetarët.
