Në Gjermani prej sot filloi aplikimi i karantinës së rreptë, ndërsa ministri i Shëndetësisë Jens Shpan njoftoi se vaksinimi do të fillojë prej javës së ardhshme.
Për herë të dytë këtë vit, është ndërprerë jeta publike në Gjermani, me përjashtim të dyqaneve ushqimore dhe nevojave të tjera të përditshme, të gjitha dyqanet janë të mbyllura deri më 10 janar, ashtu si edhe shkollat dhe kopshtet.
Para “mbylljes”, ministri i Shëndetësisë, Jens Shpan, njoftoi se vaksinimi do të fillojë javën e ardhshme dhe vlerësoi se është një sinjal i mirë.
Ai theksoi se, sipas informacionit aktual, BE-ja do të miratojë vaksinën e parë para Krishtlindjeve më 25 dhjetor.
Pas kësaj, vaksinimi do të fillojë brenda dy deri në katër ditë, specifikoi ai.
Qendrat e vaksinimit janë ngritur tashmë në Gjermani dhe ata së pari do të marrin vaksinat nga kontrata e përbashkët e furnizimit të BE-së, ndërsa vetëm pas kësaj do të arrijnë dërgesat nga marrëveshja bilaterale me prodhuesin.
Gjermania ka siguruar 20 milion vaksina shtesë nga BionTek.
Shpan deklaroi më parë se deri në fund të verës së ardhshme, do të vaksinohen rreth 60 për qind e qytetarëve.
Sidoqoftë, qeveria gjermane nuk pret që të qetësohet shpejt situata.
Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi dje se janari dhe shkurti do të ishin muaj të vështirë të pandemisë.
Kryetari i Institutit “Robert Koh”, Lotar Viler, theksoi se situata ishte më serioze se kurrë që nga fillimi i pandemisë.
Me “mbylljen”, Gjermania dëshiron të ndalojë përhapjen e virusit dhe qëllimi është të zvogëlohet numri i të sapoinfektuarve në 100.000 banorë në një maksimum prej 50 brenda një jave, ndërsa aktualisht është mbi 173.
Vetëm gjatë kohës së Krishtlindjeve, nga 24 deri në 26 dhjetor, do të ketë një lehtësim të caktuar të masave.
Sondazhet e opinioneve publike tregojnë se pjesa më e madhe dërrmuese e qytetarëve, si dhe të rinjtë mes moshës 18 dhe 29 vjeç, mbështesin mbylljen.
