Gjermania kthen 70 shqiptarë, "Na thanë do t'iu ndryshojmë shtëpinë"

TË FUNDIT

70 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar sot, pasi u është refuzuar kërkesa për azil në Gjermani. Mes të rikthyerve kishte edhe gra e fëmijë. Ata u ulën në aeroportin e Rinasit rreth orës 16:50, pas një ndalese në Prishtinë.
Azilkërkuesit e rikthyer kanë treguar se nuk u njoftuan për dëbimin dhe se autoritetet u thanë se do t’u ndryshonin shtëpinë. “Nuk na njoftuan, na thanë që do t’ju ndryshojmë shtëpitë”, ka treguar një azilkërkues. Mes të kthyerve kishte nga ata që kishin shkuar në Gjermani për përfitim azili që prej muajit janar.
Shqiptarët e kthyer sot janë dëbuar nga Gjermania, pasi kanë shkelur rregullat e qëndrimit. Ambasada e Gjermanisë njoftoi dje për kthimin e tyre, ndërsa bëri me dije se të enjten do të kthehen 125 shqiptarë të tjerë, të cilët kanë zgjedhur të vijnë vullnetarisht. Në njoftimin e ambasadës thuhej se të mërkurën dhe të enjten do të kthehen në atdhe me dy avionë charter 195 azilkërkues shqiptarë.
Ky është kontingjentit i tretë që riatdhesohet brenda pak kohësh. Javë më parë, dy grupe mbërritën në Tiranë, përkatësisht me 70 dhe 20 persona. Berlini zyrtar ka ritheksuar se nuk do të ketë azil ekonomik në Gjermani, ndërsa ka bërë apel që qytetarët shqiptarë të mos e ndërmarrin këtë iniciativë, pasi do të penalizohen.
“Në kuadër të marrëveshjes me Shqipërinë për përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesave të azilantëve shqiptarë, pritet që brenda gushtit të jenë kthyer në atdhe të gjithë personat që kanë aplikuar për azil ekonomik. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t’i paguajnë vetë azilkërkuesit, pasi bileta e avionit dhe shpenzimet e tjera të udhëtimit drejt Shqipërisë janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani”, ka deklaruar ambasada.
Gjermania e ka klasifikuar Shqipërinë si vend të sigurt origjine, çka pritet të ndikojë në uljen e numrit të azilkërkuesve atje./shekulli.al/