Gërkovska dhe Antikorrupsion zihen për Merkon / Gërkovska shpall veten jokompetente, KShPK u befasua nga akuzat e saj

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska dhe Komisioni antikorrupsion u zunë rreth çështjes për kryetarin e Strugës Ramiz Merko. Pasi dje nga Komisioni antikorrupsion thanë se për lëndët që i kanë hapur për Merko, janë njoftuar të gjitha institucionet por askush nuk ka ndërmarrë asgjë, reagim i ashpër nga zv/kryeministrja Gërkovska e cila po arsyetohet se nuk është kompetente për raste të tilla ndërsa fajin ia hedh Komisionit antikorrupsion. Gërkovska u emërua në këtë funksion në vendin e ish zv/kryeministrit për luftë ndaj korrupsionit Lupço Nikollovski, por kësaj here me emër të ri të funksionit, zv/kryeministre për politika për qeverisje të mirë.

“Fatkeqësisht Komisioni Antikorrupsion i udhëhequr nga kryetarja Ivanovska, në përpjekje që t’i arsyetojë veprimet ose mosveprimet e Komisionit anitkorrupsion, po përpiqet që kompetencat dhe përgjegjësinë t’ua hedhë institucioneve të tjera, pa pasur parasysh nëse ato janë kompetente për raste konkrete, ndërsa në atë kontekst edhe çfarë mekanizma kanë në dispozicion. Duke pasur parasysh ndarjen e pushtetit në nivel lokal dhe qendror, zv/kryeministrja Gërkovska nuk ka dhe nuk mund të ketë kompetenca për një zyrtar që është zgjedhur në zgjedhje legjitime”, thonë nga Kabineti i Gërkovskës.

Reagimi i Gërkovskës i befasoi anëtarët e Komisionit, duke thënë se zv/kryeministrja në vend që bashkë me ta ta luftojë kundër korrupsionit, ajo i kritikon.

“Të gjitha lëndët e Komisionit antikorrupsion janë evidentuar dhe dorëzuar deri tek institucionet tona sipas ligjeve. Mosveprimi i institucioneve të tjera nuk është përgjegjësia e Komisionit antikorrupsion për shkak se sipas kompetencave tona ligjore nuk kemi mekanizma që të ndikojmë në punën e tyre dhe dinamikën e veprimit. Është në interes të qytetarëve dhe avancimin e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit, të gjitha organet bashkë t’i drejtojnë kapacitetet e tyre drejt qëllimit të njëjtë, e jo të kritikohet puna e Komisionit”, thonë Komisioni Antikorrupsion.

Për rastin e Merkos edhe sot reaguan nga opozitarja VMRO-DPMNE prej ku akuzojnë se BDI dhe LSDM e mbrojnë kryetarin e Strugës.

“Nuk ka kërkesë për dorëheqjen e Merkos nga partia e tij BDI, e as nga partneri më i vogël i koalicionit në qeveri, LSDM. Të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me këtë rast kanë dështuar, disa i kanë ruajtur rastet në sirtarë disa të tjerë me shumë gjasa kanë përfituar e disa e kanë injoruar rastin. Rasti Merko është shembull për qeverisjen e BDI-së dhe LSD-së”, deklaruan nga VMRO-DPMNE.

Anëtarësimi i Merkos në BDI është ngrirë me kërkesë të tij, por ai nuk dha dorëheqje në funksionin e kryetarit të Strugës e as partia e tij e ka kërkuar këtë prej tij.