Dy muaj pas zhvillimit të provimit të parë ekstern, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Jovçevska-Mihajlovska, në një konferencë për media sot prezantuan rezultatet përfundimtare të maturës, pas shqyrtimit edhe të ankesave të dorëzuara, përcjell TV21. Risi këtë vit ishte se maturantët zhvilluan tri lloje të provimeve të maturës: maturën shtetërore, maturën shtetërore profesionale dhe maturën shtetërore artistike.
Nota mesatare për maturën shtetërore është 3.62, për maturën profesionale 3.91, ndërsa për maturën artistike 3.59.
Ministrja Janevska deklaroi se është e kënaqur me rezultatin mesatar, i cili pothuajse është ruajtur krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte 3.69, ndërsa në vitin 2024 ishte 3.26.
“Vlerësoj se këto janë rezultate objektive, falë përgatitjes së të gjithë të përfshirëve në organizimin e maturës”, tha Janevska.
Më shumë se 14.500 nxënës që përfunduan arsimin e mesëm në vitin shkollor 2025/2026 ishin regjistruar për provimet eksternë (gjuhën amtare si lëndë të detyrueshme dhe një lëndë tjetër sipas zgjedhjes) në afatin e qershorit. Testet u zhvilluan më 6 dhe 11/12 qershor.
Nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar, 12.184 ishin për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike. Në provime nuk u paraqitën 348 kandidatë, ose 2.39% e të regjistruarve.
Nxënësit e gjimnazeve zhvilluan vetëm maturën shtetërore, ndërsa sipas konceptit të ri, edhe nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike patën mundësi të zgjedhin mes maturës shtetërore dhe asaj profesionale apo artistike.
Në maturën shtetërore u zhvillua test nga gjuha e huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht) ose matematika. Nxënësit që zhvilluan maturën profesionale kishin test nga anglishtja ose matematika, ndërsa për maturën artistike zgjedhja ishte mes gjuhës angleze dhe historisë.
Sikurse edhe vitet e kaluara, më së shumti maturantë zgjodhën gjuhën angleze – gjithsej 13.208 nxënës. Katër gjuhët e tjera të huaja ishin në dispozicion vetëm për nxënësit që zhvilluan maturën shtetërore.
Për secilin provim dhe lloj mature u përgatitën programe të veçanta provimi, mbi bazën e të cilave u hartuan pyetjet, të mbështetura në programet mësimore që nxënësit i kanë ndjekur gjatë katër viteve të arsimit të mesëm.
