Ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, e ka tërhequr padinë kundër ish-prokurores Villma Ruskoska. Ai e paditi atë për një deklaratë në një emision televiziv ku ajo tha se i ishte ofruar të ndalonte hetimin për çështjen “Softuerët”, në të cilën ai është i akuzuari i parë, ndërsa për këtë të marrë avancim. Ruskoska konfirmon për TV21 se padia është tërhequr, por nga Rashkovski nuk arritëm që të marrim përgjigje se pse ka vendosur të ndërmarrë një hap të tillë.
Ndërkohë, sot filloi procesi i gjykimit mes dy ish-drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme në vend, përgjegjës për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, Drejtorisë së Policisë Financiare, në krye të së cilës ishte Arafat Muaremi dhe Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, të udhëhequr nga Vilma Ruskovska.
Muaremi dorëzoi kallëzim penal kundër Ruskoskës, për shkak se konsideron se bastisja e kryer në Policia Financiare ishte e kundërligjshme.
Si filloi gjithçka? Ruskoska në fillim kursente fjalë për arsyet e bastisjes në Policinë Financiare dhe vetëm tha se është detyrë e prokurorisë të kontrollojë dhe të shohë nëse ka diçka që ka bazë në denoncimin anonim. Muaremi, nga ana tjetër, “nuk mbeti borxhli” dhe dorëzoi ankesë në Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin e Prokurorëve.
Atëherë ai e fitoi betejën e parë kundër Ruskoskës, sepse prokuroria publike e Lubomir Joveskit kishte evidentuar lëshime në bastisje, sepse në këtë rast mund të vepronte vetëm Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me autorizime policore.
Kjo i dha Muaremit një shtysë shtesë për të paralajmëruar kallëzim penal kundër prokuroreve. Ai pretendon se kërkimi ka qenë për qëllimin e vetëm për të dëmtuar reputacionin e tij dhe për të vënë në pikëpyetje të gjitha veprimet që ai i ka udhëhequr. Motivi i Ruskoskës, sipas tij, është mbrojtja e interesave të njerëzve të saj të afërt, miqve dhe bashkëpunëtorëve për të cilët Policia Financiare i udhëheq rastet.
Nga Muaremi mësohet se Ruskoska në kërkesën për bastisje deri te Gjykata, ka pohuar se ka prova se kreu i Policisë Financiare ka kryer veprën për të cilën akuzohet – shpërblim për ndikim të kundërligjshëm.
Drejtoria e Policisë Financiare është përgjigjur se kur prokurorja ka dorëzuar kërkesën, ka pasur prova se çfarë shpërblimi ka marrë drejtori dhe nga kush e ka marrë atë dhe në çfarë periudhe, por kur është kryer bastisja, prokurorët kanë kërkuar “lëndët e formuara pas dorëzimit të kallëzimeve penale anonime, të dorëzuara që nga viti 2018 deri në ditën e bastisjes”.
Ruskoska edhe sot qëndron prapa vendimit të saj, që mund të dëgjohej edhe në deklaratën e saj pas marrjes në pyetje kur tha “nëse përsëri ka gjasa që të bëhet bastisje në Policinë financiare, përsëri do të bëja të njëjtën gjë”.
Siç mund të shihte edhe opinioni, të dy nuk kaluan pa pasoja. Ruskoska u suspendua, ndërsa Muaremi u tërhoq nga funksioni i tij.
