Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe pasdite u bëri apel mediave të mos publikojnë informacione të paverifikuara për numrin e të sëmurëve me Kovid-19.
“Këto ditë një numër i madh i mediave që herët në mëngjes publikojnë informacione dhe pothuajse gjithmonë të pasakta për numrin e të sëmurëve të rinj. Nga fillimi i krizës personalisht unë dhe i gjithë ekipi im për marrëdhënie me opinionin jemi partneri juaj. Tashmë 100 ditë në kohë, saktë dhe në mënyrë transparente e njoftojmë opinionin. I bëjmë të ditur të gjitha detajet për të sëmurët e rinj me Kovid-19, gjithnjë me qëllim që mediat të kenë informacion të saktë. Edhe një herë u bëj thirrje mediave të ndalojnë të raportojnë informacione spekulative dhe të paverifikuara rreth numrit të të sëmurëve me Kovid-19. I lus ta ruajnë rolin dhe detyrën e tyre të cilën e kanë ndaj opinionit për raportim në kohë, saktë dhe të verifikuar”, ka shkruar Filipçe në Fejsbuk.
