Merz: BE-ja mund të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit nëse arrihet marrëveshje me SHBA-në

TË FUNDIT

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm që gradualisht të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit, nëse arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Reduktimi i sanksioneve mund të jetë pjesë e procesit”, tha Merz pas samitit të BE-së në Nikozi.

“Dhe, askush nuk e ka kundërshtuar këtë”, tha ai.

Merz e përshkroi këtë si “pjesë të asistencës” që Evropa mund të ofrojë për të avancuar procesin dhe me shpresë për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi afatgjatë.

Ky qëndrim u prit me kujdes nga disa udhëheqës të tjerë të BE-së.

Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit tha se ende është herët që të diskutohet heqja e ndonjë sanksioni ndaj Iranit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri komente të ngjashme.

Merz i bëri këto deklarata në një kohë kur BE-ja thuhet se po zhvillon plane emergjente për të përballuar një mungesë, në një të ardhme të afërt, të karburantit për aeroplanë dhe për të maksimizuar prodhimin e rafinerive për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, të lidhura me luftën me Iranin.

Evropa është më e varur nga importet e karburantit për aeroplanë se nga çdo lloj tjetër karburanti për transport, me rreth 75 për qind që vjen nga Lindja e Mesme.

Çmimet e karburantit për aeroplanë janë rritur ndjeshëm që nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, që në mënyrë efektive u mbyll nga Teherani pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt.

Linjat ajrore evropiane kanë paralajmëruar se, nëse konflikti vazhdon, çmimet e biletave mund të rriten, fluturimet mund të anulohen dhe avionët mund të mbeten në tokë.

SHBA-ja ka zgjatur armëpushimin e përkohshëm me Iranin – që ishte paraparë të skadonte më 22 prill – por, ka në fuqi një bllokadë ndaj porteve iraniane. Palët, gjatë bisedimeve më 11-12 prill në Pakistan dështuan që të arrinin një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.