Dr. Çibishev: Nëse uji në Shkup do të ishte i ndotur me E. coli, do të kishim mbi 50 mijë pacientë

TË FUNDIT

-Nuk e kuptoj motivin dhe nevojën për të përhapur (dezinformacione) se uji i pijshëm që përdorin qytetarët e Shkupit është i ndotur me bakterin Escherichia coli. Nuk e di nëse këto mendje të sëmura e dinë se çfarë do të thotë një ndotje e tillë, thotë toksikologu dhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë pranë USHKM-së, dr. Andon Çibishev, në një postim në profilin e tij në Facebook, pas panikut të djeshëm lidhur me sigurinë e ujit të pijshëm në Shkup.

Ai thotë se, nëse në ujin e Shkupit do të kishte Escherichia coli, brenda një ose dy ditësh do të kishte mbi 50 mijë pacientë.

“Nuk e di nëse këto mendje të sëmura e dinë se çfarë do të thotë një ndotje e tillë. Edhe pse bakteri Escherichia coli jo te të gjithë dhe jo në çdo rast shkakton simptoma dhe sëmundje, mjafton që vetëm 10 për qind e banorëve të Shkupit të zhvillojnë pasqyrë të inflamacionit të zorrëve, që kjo të nënkuptojë se brenda një ose dy ditësh do të kishte mbi 50 mijë pacientë”, thekson Çibishev.

Mjeku thekson se kjo do të përbënte një problem të madh për shtetin dhe mund të shkaktonte kolaps të sistemit shëndetësor.

“MPB-ja është në lëvizje, urgjentisht të zbulohen porositësit, krijuesit dhe promovuesit e kësaj gënjeshtre të neveritshme, e cila shkaktoi mosbesim dhe frikë te qytetarët e Shkupit. Pa mëshirë, pa selektivitet. Zoti na ndihmoftë!”, shkruan Çibishev në postimin e tij.