“Saubermacher” kërkon rritje çmimi në Tetovë? Këshilli komunal përballë vendimit që prek qytetarët

TË FUNDIT

Kompania “Saubermacher”, që menaxhon mbeturinat në qytetin e Tetovës, zyrtarisht ka kërkuar që të rritet çmimi për grumbullimin e mbeturinave. Këshilltari komunal nga Lëvizja “Më mirë për Tetovën”, Agron Arifi, thotë se gjatë ditës së hënë Këshilli Komunal do të duhet të vendosë nëse këshilltarët e shumicës do të pasurojnë një kompani private në dëm të qytetarëve apo do të dalin në mbrojtje të tyre. Sipas Arifit, kërkesa është që për 30% të rriten faturat e qytetarëve dhe nga 50 deri në 100% për kompanitë.

“Ky është rreziku që i kanoset qytetarëve kur komuna lidh marrëveshje për Partneritet Publiko-Privat. Privati gjithmonë ka interes përfitimin financiar, ndërsa komuna, e cila nuk është e aftë të ofrojë shërbimet e duhura, i ikën përgjegjësisë duke lidhur marrëveshje të dëmshme që zhvasin banorët. E hëna do të tregojë se kë do të mbrojnë këshilltarët komunalë: interesin e qytetarëve apo biznes-interesat që lidhen ngushtë me klane partiake”, tha Agron Arifi.

Kryetar i Këshillit Komunal nga koalicioni VLEN që ka edhe shumicën, Jusuf Abduli, thotë se kërkesa e “Saubermacher” do të shqyrtohet. Sipas tij, janë duke diskutuar dhe mund të ketë një rritje të vogël, por jo aq sa të rëndohet buxheti i qytetarëve.

“Ne si grup i këshilltarëve jemi në diskutim dhe kemi vërejtjet tona, të cilat do t’i shpalosim në seancën e radhës. Do të mundohemi të gjejmë një zgjidhje që të mos ketë rritje, ose të mos pranohet kjo kërkesë e ‘Saubermacher’ në atë formë që do të ndikonte rëndë në ekonominë e qytetarëve të Tetovës”, deklaroi Jusuf Abduli.

Në fillim të vitit 2024, në Tetovë u fut operatori privat për grumbullimin e mbeturinave, me çka ndryshoi edhe mënyra e pagesës. Nga pagesa për kokë banori siç ishte më parë, ajo u bë për metër katror, gjë që rriti faturat. Një pjesë e qytetarëve madje u dërguan te përmbaruesit për shkak të mospagesës me kohë ose mosarritjes së faturave.