Evropa po fillon dalëngadalë ta trajtojë Covid-in si grip

TË FUNDIT

Ka thirrje në rritje në Evropë që Covid-19 të trajtohet si një sëmundje endemike si gripi, pavarësisht paralajmërimeve të forta nga zyrtarët globalë të shëndetësisë se pandemia është larg përfundimit.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, është lideri më i fundit evropian që ka ngulur këmbë duke sugjeruar se është koha për të rivlerësuar Covid-in. Ai i bëri thirrje BE-së që të debatojë mundësinë e trajtimit të virusit si një grip, transmeton rtv21.tv.

“Situata nuk është ajo që ne u përballëm një vit më parë”, tha Sanchez në një intervistë radiofonike me Cadena SER të Spanjës të hënën, ndërsa nxënësit spanjollë u kthyen në klasat e tyre pas pushimeve.

“Mendoj se duhet të vlerësojmë evolucionin e Covid-it në një sëmundje endemike, nga pandemia me të cilën jemi përballur deri më tani,” shtoi ai.

Franca, për shembull, ka raportuar më shumë se 300,000 raste të reja ditore ditët e fundit dhe Gjermania raportoi 80,430 infeksione të reja të mërkurën, më e larta e regjistruar në një ditë të vetme që nga fillimi i pandemisë.

Komentet e Sanchez i bëjnë jehonë atyre të bëra në Mbretërinë e Bashkuar nga politikanët vitin e kaluar me kryeministrin Boris Johnson duke i thënë publikut britanik se ata do të duhet “të mësojnë të jetojnë me virusin”.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)po paralajmëron se është shumë herët për ta konsideruar Covid-in një sëmundje endemike.

Covid u shfaq për herë të parë në Kinë në fund të vitit 2019 përpara se të përhapej në të gjithë botën, duke shkaktuar më shumë se 313 milionë raste deri më sot dhe mbi 5 milionë vdekje./21Media