“Është koha të votohet për person, e jo për parti”, a do të kemi një njësi zgjedhore?

TË FUNDIT

Ka politikanë të cilët për 20 vite janë në Kuvend, bile edhe më shumë, vetëm për shkak të pozicionit të mirë të fletëvotimit në zgjedhje, thonë partitë më të vogla, sipas të cilave, ka ardhur koha të votohet për person, e jo për parti. Pasi ndjehen të dëmtuar, dorëzuan propozim-ligj për një NJ.Z. Pavle Trajanov, konsideron se modeli aktual me 6 njësi, i “rrënon” partitë më të vogla, pasi është shumë vështirë në 6 vende të mblidhen nga 10.000 vota. Shton se Kodi Zgjedhor është bërë vetëm në funksion të dy partive të mëdha.

“Edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe LSDM-ja paralajmërojnë se janë “për” një Njësi Zgjedhore, por do të tentojnë të vendosin prag më të lartë me qëllim që sërish t’i eliminojnë partitë më të vogla politike.”, tha Pavle Trajanov nga Lidhja Demokrate.

Edhe E Majta ndjehet e dëmtuar, duke pasur parasysh numrin e votave dhe numrin e vogël të deputetëve sipas modelit ekzistues me 6 NJ.Z.

“Pa marrë parasysh nga cili koalicion vijnë, edhe me VMRO-DPMNE-në, edhe me LSDM-në, me rëndësi është që kjo të kalojë pa marrë parasysh kush qëndron pas kësaj.”, u shpreh Dimitar Apasiev nga “E Majta”.

Nga Koalicioni ASh-AAA, thonë se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për Kodin Zgjedhor, për të dëshmuar se vota e shqiptarëve është shumë e rëndësishme në vend.

“Sipas nesh, mënyra e sjelljes së Kodit Zgjedhor mes dy partive më të mëdha maqedonase në mungesë të partive shqiptare, është skandaloze”, vlerëson Skender Rexhepi nga ASH-AAA-ja.

“Si parti politikë edhe më ishim, por edhe tani jemi me qëndrim se duhet të kemi 3 Njësi Zgjedhore, me çka do të reflektohet ajo që është RMV-ja – një shoqëri multietnike”, thotë Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Sipas liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, ligji duhet të ndryshojë, të vendoset vetëm një Njësi Zgjedhore si model, pasi jemi shtet multietnik. Me këtë, në mënyrë demokrate do të mënjanohet çdolloj mundësie për autokratë të rinj. Ky është një nga premtimet e tyre parazgjedhore. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja thotë se pajtohet të ketë një njësi, por lidhur me propozim-ligjin, na thanë se së pari duhet ta shqyrtojnë, e pastaj do të dalin me koment. Partitë më të vogla dyshojnë se LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja janë dakord për një Njësi Zgjedhore. Në propozim-ligjin nuk janë nënshkruar të gjitha partitë politike që janë pjesë e Kuvendit, e as koordinatorët e grupeve parlamentare.