“Është diskriminues dhe antikushtetues”, SASHK kërkon të tërhiqet propozim ligji për sistemin e pagave

TË FUNDIT

Propozim Ligji për sistemin e pagave shfuqizon sindikatat, e në këtë mënyrë Kuvendi, Qeveria dhe Ministria e Financave do të vendosin vetë se sa do të jenë pagat e rreth 140 mijë punonjësve në sektorin publik. Kështu vlerësojnë nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, prej ku kërkojnë propozim ligji të hiqet menjëherë nga regjistri elektronik. Sipas kreut të sindikatës Jakim Nedellkov, tani Qeveria do të ketë të drejtën ligjore për uljen e pagave, pas përpjekjes së pasuksesshme për ta bërë këtë gjatë pandemisë Covid-19.

“Vlera e pikave edhe një pikë e dhimbshme, vlera e pikëve sipas rekomandimit të qeverisë dhe e konfirmon kuvendi, marrëveshjet kolektive nuk kanë kurrfarë vlere dhe gjithçka që e kemi arritur deri tani me marrëveshjet kolektive, me metodologjinë për përllogaritje të pagave asgjësohet”, pohoi Jakim Nedellkov, kryetar SASHK.

Ky propozim ligj, sipas SASHK-ut, është antikushtetues, diskriminues dhe kundër interesave të marrëveshjeve kolektive dhe të drejtave të punëtorëve. Disa të drejta të fituara tashmë do të shfuqizohen me marrëveshje kolektive. Më këtë eliminohet mundësia për rregullimin e pagave me marrëveshje kolektive, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë, tha Nedellkov.

“Ky propozim ligj përmban elemente diskriminuese, disa dispozita të ligjit vlejnë për një kategori të posaçme. Ka një dispozitë në një nen që thotë se kjo vlen vetëm për të punësuarit në administratë. Paramendoni a vetëm punonjës administrativë ka në administratën private dhe publike? Jo! Si është e mundur që ato privilegje t’i ketë vetëm një kategori qytetarësh?”, tha Jakim Nedellkov, kryetar SASHK.

Nedelkov shtoi se protestat janë alternativa e fundit.

Nga Qeveri thonë se teksti i Ligjit për sistemin e pagave në sektorin publik është në fazën e diskutimit publik në të cilin çdo palë e interesuar mund të paraqesë mendimet dhe propozimet e veta, si dhe shtojnë që i njëjti nuk është versioni përfundimtar.