Ende vazhdojnë kërkimet nën rrënoja/ Mbi 18 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri

TË FUNDIT

Nën rrënojat e tërmetit në Turqi, edhe pas 4 ditëve ende ka shpresë për jetë. I tillë është edhe rasti me një familje 5 anëtarëshe të cilët pas 82 orëve qëndrim nën gërmadha, arritën të mbijetojnë.

Edhe në Dijarbakër pas 81 orëve i bllokuar nën gërmadha, djaloshi 7 vjeç Beshir arrit të dalë në dritë me ndihmën e ekipeve të shpëtimit. Kur ekipet i premtuan se për gjysmë ore do ta nxjerrin që aty, Beshiri nga nën rrënoja ju tha se do të vdesë nga uria dhe etja.

“Për gjysmë orë do të nxjerrim.
-Nga etja dhe nga uria do të vdes”.

Momenti që solli pak buzëqeshje te ekipet e shpëtimit, ishte kur nga rrënojat u nxorr një vajzë 5 vjeçe e cila tha se nuk do të ujë për shkak se njëherë duhet ta kontrollojë mjeku.

“A do pak ujë?
-Jo, ende nuk e kam kryer kontrollin”.

Çdo orë e më tepër që kalon, ulë edhe më shumë shanset për gjetjen e të mbijetuarve. Sipas ekspertëve, më shumë se 90% e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen përgjithësisht brenda tre ditëve të para.

Të gjallë deri më sot janë nxjerrë rreth 9 mijë njerëz. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan sot vazhdoi vizitën në Gaziantep, nga ku tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të përshpejtojë përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës në zonat e prekura nga tërmeti.

“Çfarëdo që të sjell ky vendim. Gjithkush në Turqi i cili keqpërdor këtë periudhë të tërmetit, kryen korrupsion me tregti, fajdexhinjtë, ata që krijojnë ngatërresa me anë të këtij vendimi shteti menjëherë do të veprojë”- deklaroi Rexhep Taip Erdoan, President i Turqisë.

Të mbijetuarit përveç dëmtimeve të marra, mungesës së ajrit dhe ushqimit, po përballen edhe me të ftohtin e acartë. OBSH nuk përjashton mundësinë që edhe njerëzit, të cilët i mbijetuan tërmeteve, por kanë mbetur jashtë të mund të humbin jetën nga sëmundjet që mund t`i prekin, apo mungesa e ujit të pijshëm.

Për dallim nga Turqia, Siria ka më shumë probleme për operacionet e shpëtimit, e kjo për shkak të situatës së destabilizuar atje. Ndërkohë gjashtë kamionë të OKB-së që transportonin ndihma tani kanë kaluar kufirin nga Turqia në Siri. Kjo është ndihma e parë ndërkombëtare që njerëzit atje kanë pasur. Numri i viktimave në total në Siri dhe Turqi ka shkuar në mbi 17.000, ndërsa shifra totale të lënduarve është mbi 60 mijë.