Ekziston proces për zgjidhje potenciale – Murtezani: Ka hapësirë për bllokada të mundshme nga Bullgaria, na nevojiten garanca

TË FUNDIT

Ministri për çështje europiane, Orhan Murtezani, pohon se ekziston hapësirë për zgjidhje potenciale për debllokim të procesit eurointegrues. Sipas tij, pushteti është i gatshëm për ndryshime kushtetuese por po punon në një zgjidhje me të cilën nëse ndryshohet Kushtetuta procesi në të ardhmen të mos mund të bllokohet përsëri.

“Edhe më tej do të këmbëngulim që të sigurojmë procesin nga fillimi e deri në mbarimin e negociatave, për shkak se sipas nesh ekzistojnë hapësira të caktuara ku që tani shohim se ka potencial për bllokada nga Bullgaria”, tha Orhan Murtezani.

Shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, theksoi se pushteti nuk angazhohet me afate dhe përsëriti se po pritet Qeveri e qëndrueshme politike në Bullgari për dialog. Ai e komentoi edhe deklaratën e ministres gjermane Analena Berbok se ndryshimet kushtetuese janë hap i patjetërsueshëm që të vazhdojë procesi.

“Ministrja po ashtu tha se për momentin kemi kushtin për procesin e ndryshimeve kushtetuese, por njëkohësisht, të paktën nga ajo që e ndoqa unë, askund nuk është hedhur poshtë mundësia për dialog, për nisma”, tha Timço Mucunski.

Nga ana tjetër, opozita e thirri pushtetin që të përgjigjet konkretisht nëse kanë përkrahjen e BE-së për ndryshimin e kushteve për hapjen e kapitujve për negociata. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe e komentoi dilemën e kryeministrit Hristijan Mickoski se a duhet t’i dërgojë letër Brukselit me propozim zgjidhje.

“Ose nuk e tregon të vërtetën ose nuk ka asnjë plan. Në atë kontekst ishte thirrja jonë që të organizohet seancë në Kuvend ku kryeministri dhe qeveria do të tregojnë se si është plani për eurointegrimet”, deklaroi Venko Filipçe.

Zhbllokimi i procesit eurointegrues pritet të jetë një nga temat e bisedimeve mes kryeministrit Mickoski dhe kryetares së KE-së Ursula von der Lejen e cila të enjten vjen në Shkup.