Një ton krapa të vegjël janë lëshuar sot në ujërat e Liqenit të Prespës, duke e pasuruar fondin e peshkut me afro 7 mijë ekzemplarë të rinj, të përfituar nga vezët e peshqve amë të vetë liqenit.
Mbjellja e peshqve është realizuar nga qendra e regjistruar e shumimit “Aquatica” nga Negotina, për të cilën Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka siguruar 500 mijë denarë përmes Programit për Mbështetje Financiare në Peshkatari dhe Akuakulturë për vitin 2026.
“Me këtë mbushje të sotme po e mbështesim ripërtëritjen e popullatës vendore të krapit. Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të investojmë në fondin e peshkut dhe ta mbrojmë atë, duke përmbushur obligimin tonë për ruajtjen e biodiversitetit të Liqenit të Prespës”, deklaroi ministri Borçe Serafimovski.


Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë ndoqën procesin e lëshimit të peshqve në liqen, duke kontrolluar peshën e përgjithshme të rasatit dhe numrin e ekzemplarëve të lëshuar.
“Do t’i forcojmë kontrollet në Liqenin e Prespës dhe do ta vazhdojmë bashkëpunimin me shoqatat e peshkatarëve për mbrojtjen e fondit të peshkut, përmes zbulimit dhe parandalimit me kohë të peshkimit të paligjshëm”, theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski./TV21
