Ekipi amerikan dhe ai iranian kanë mbërritur në Islamabad, fillojnë negociatat

TË FUNDIT

Bisedimet e paqes midis SHBA-së dhe Iranit fillojnë këtë fundjavë në Islamabad. Diskutimet do të zhvillohen në kryeqytetin pakistanez në kushte të shtuara sigurie, për shkak të të cilave autoritetet kanë shpallur dy ditë festë shtetërore dhe kanë zbrazur rrugët e qytetit.

Delegacioni amerikan udhëhiqet nga nënpresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens, së bashku me të dërguarin special Stiv Uitkof dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Xhared Kushner. Para takimit, Vens tha se SHBA hyn në negociata me optimizëm, por njëkohësisht paralajmëroi Iranin “të mos përpiqet t’i mposhtë SHBA-të”.

Delegacioni iranian në Islamabad përbëhet nga 71 persona, përfshirë negociatorë, ekspertë, përfaqësues të mediave dhe sigurisë, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Delegacionin e udhëheq Mohamad Baker Kalibaf, kryetar i parlamentit iranian, ndërsa në të është edhe ministri i jashtëm, Abas Arakçi.

Propozimi me 15 pika i administratës së Trumpit, i cili nuk është zbuluar plotësisht, thuhet se përfshin detyrimin e Iranit të mos posedojë armë bërthamore, dorëzimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, kufizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

“Ne kemi qëllime të mira, por nuk kemi besim. Përvoja jonë në negociatat me amerikanët gjithmonë ka qenë e shënuar nga dështime dhe premtime të thyera”, tha Arakçi pas uljes në Islamabad.

Po ashtu është bërë e ditur se Izraeli dhe Libani do të fillojnë negociata zyrtare paqeje në Uashington të martën. Ndërprerja e sulmeve në Liban është një nga kushtet që kërkon Irani në negociatat paralele me SHBA-në.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ushtria amerikane po përgatitet për sulme të reja ndaj Iranit nëse negociatat që fillojnë në Pakistan nuk sjellin marrëveshje përfundimtare.

“Po fillojmë nga e para. Po i mbushim anijet me municionin më të mirë dhe me armët më të fuqishme të krijuara ndonjëherë. Nëse nuk ka marrëveshje, do t’i përdorim në mënyrë shumë efektive”, tha presidenti amerikan.

Më herët, Trump në rrjetin e tij “Truth Social” paralajmëroi një “rindërtim më të fuqishëm në botë”.