Edhe 20 ditë na ndajnë nga 1 shtatori, dita e parë e vitit shkollor 2020/2021, e Ministria e Arsimit ende nuk ka sjellë vendim se në çfarë formë do të zhvillohet mësimi. Profesori universitar Bashkim Ziberi vlerësohen se MASH është vonë për të realizuar një vit të sukseshsëm shkollor.
“Definitivisht nga pikëpamja ime ne jemi shumë vonë, në shumë aspekte realisht. Jo vetëm në aspektin e organizimit të procesit arsimor në shkolla fillore, të mesme dhe universitete, por edhe të përgatitjes paraprake për të pasur një vit shkollor të suksesshëm”, tha Bashkim Ziberi.
Profesori tha se nuk ka mundësi që plani mësimor dhe proceset tjera të adaptohen për 3 javë.
“Ne për dy tre javë të kanalizohemi në një proces mësimor të suksesshëm është e pamundur, duke pasur parasysh që duhet të bëhen plane mësimore të reja, trajnime të arsimtarëve, duke pasur parasysh se duhet të bëhen orare krejtësisht tjera sa i takon mësimdhënies”, deklaroi Bashkim Ziberi.
Për opsionin që nxënësit të ndahen në ndërrime, Ziberi mendon se është joefikase, marrë parasysh se shumë shkolla vetëm se kanë nga dy ndërrime dhe ka mungesë të kuadrove të arsimtarëve për të realizuar mësim në 4 ndërrime.
“Shumë lehtë në Komunën e Aerodromit të organizhohet mësim me ndërrime, sepse ata kanë një ndërrim. Kurse në zonat shqiptare Shkup e Tetovë, ku pjesa dërrmuese, gati se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme punojnë me dy ndërrime, ti e ke të vështirë tani të organizosh përsëri me ndërrime. Sepse me një shkollë që vetëm se ka dy ndërrime me nga 30 nxënës në klasë i bie që të organizosh 4 ndërrime brenda ditës, me një orë 20 minutshe, vetëm qarkullim serik i nxënësve. Kjo nuk do të jetë fare efektive, do të jetë një element kryesor që do të shërbejë për përhapjen e virusit besoni”, u shpreh Bashkim Ziberi.
Përndryshe profesori Ziberi tha se mësimdhënësit janë të papërgatitur, duke vlerësuar se disa arsimtarë nuk dinë as të hapin platformat online për ligjërim, e disa nxënës po edhe arsimtarë nuk kanë kushte financiare për internet. Ai i numëroi sfidat e mësimit online, por edhe të shkuarjes në shkollë për të cilat vlerësoi se as institucionet, as arsimtarët nuk janë të gatshëm. Ai tha se forma më e përshtatshëm për mbarëvajtjen e procesit arsimor është modeli i kombinuar.
Përndryshe, sot konsiderohej se është afati përfundimtar për miratim e protokolleve për shkollat, mirëpo nga Ministria e Shëndetësisë informuan se protokollet nga komisioni për sëmundje infektive do të definohen nesër.
