€2.3 milionë mbështetje financiare për startup-et/ Nëpërmjet thirrjes “Startup 5” të FIZHT

TË FUNDIT

Gjithsej 61 aplikimi për projekte, 9 ndërmarrje dhe 31 ekipe projekti, janë mbështetur përmes thirrjes “Startup 5”, të cilat do të fillojnë me realizimin e ideve të tyre inovative dhe projekteve të biznesit që lidhen me hulumtimin dhe zhvillimin. Nga buxheti i përgjithshëm i thirrjes, 2.3 milionë euro janë investim i FIZhT, ndërsa 412 mijë euro janë mjete që do të investohen nga vetë ndërmarrjet.

“Më gëzon fakti që portofolio e Fondit është vazhdimisht në rritje dhe që njerëzit njohin mundësitë që ofron FIZHT dhe gjatë çdo viti portofolio e fondit po zhvillohet me kompani të reja, të cilat shtjellojnë ide inovative, ide kreative dhe përmes këtyre projekteve shtojnë edhe mundësinë që ekonomia e vendit tonë të jetë më innovative, më e gjelbër dhe mundëson më tepër vende pune për të rinj por njëherë edhe gjenerim të taksave të cilat ndihmojnë shtetin tonë për rimëkëmbje ekonomike.”- deklaroi Festim Halili – drejtor i FIZHT.

Në thirrjen “Start Up”, e cila është e pesta me radhë, në FIZhT arritën 363 aplikime për projekte nga ndërmarrje dhe ekipe projektesh. Përvojën me të pranishmit për mbështetjen e biznesit së tij të ri nga FIZhT e ndau Agon Fejza nga kompania “Vulos”.

“Si kompani kemi qenë po ashtu në këtë nismë ku aplikuam në një nga shpalljet e asaj kohe “Startup 3” dhe ne deshëm të aplikojmë me idenë tonë, me një Startup që emërohet Vulos. Vulosi është një ekosistem që na mundëson më shumë shërbime. Disa nga shërbimet e Vulosit janë krijimi i një identiteti dixhital dhe pas verifikimit digjital e kemi shumë lehtë për ta përdorur dhe për të verifikuar edhe më tutje pjesën e dokumentacionit, pjesën e arkivit elektronik.”- tha Agon Fejza – “Vulos”.

Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili, theksoi se bashkë me këto 61 projekte të reja, gjithsej 348 ndërmarrje, po zbatojnë ose do të zbatojnë idetë e tyre të biznesit.