Në ditët e ardhshme më me siguri na pret “shpërthim” i të infektuarve me Covid-19. Një nga arsyet është lloji i ri Omikron, i cili po përhapet shumë shpejt dhe i cili në vendin tonë është regjistruar te disa pacientë. Arsyeja e dytë janë festat e fundvitit, ku rrallëkush i respektoi protokollet që ishin në fuqi. Për herë të parë pas një periudhe më të gjatë kohore, numri i rasteve pozitive në bazë ditore dje ishte mbi 1.000. Por, kishte rritje edhe të numrit të testeve të bëra – mbi 7 mijë. Mjekët paralajmërojnë se numra të tillë do të kemi edhe gjatë periudhës së ardhshme.
Njëri prej mjekëve i cili pohon se do të ketë numër të shtuar të rasteve pozitive pas festave, është epidemiologu Dragan Danillovski. Ai këtë e paralajmëroi që në dhjetor, para së gjithash për shkak të llojit Omikron. Tani kemi situatë – e lypët, e gjetët, thotë Danillovski, i cili shton se ky është zhvillim normal i ngjarjeve.
“Mbes në qëndrimin tim të cilin për herë të parë e shpreha më 28 nëntor, kur omikroni përhapej vetëm në Afrikën e Jugut. Numri i të infektuarve do të rritet shumë shpejt! Por, numri i të shtruarve nuk do ta ndjekë këtë dinamikë, e as numri i të vdekurve. Me këtë do të arrijmë imunitet në mënyrë masive – me dozë “të tretë” natyrale (ose të katërt) kundër koronavirusit. Epilogu do të jetë – që në pranverë t’i themi lamtumirë pandemisë me Kovid në Maqedoni“, pohoi Dragan Danillovski, epidemiolog.
Nga ana tjetër, mjeku Niko Beqarovski ndez alarmin, duke thirrur Komisionin për Sëmundje Ngjitëse urgjentisht t’i ndryshojë protokollet për izolim. Siç thotë ai, nëse rregullat nuk ndryshojnë, shumë njerëz do të përfundojnë në izolim, e duke pasur parasysh se numrat do të shënojnë rritje rapide, atëherë nuk do të ketë kush të punojë. Beqarovski shton se izolimi i kontakteve me përhapje të këtillë të omikronit është i pabazë nga aspekti epidemiologjik.
“Të nderuar anëtarë të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, nëse që nga nesër nuk i ndryshoni protokollet për izolim të atyre që kanë pasur kontakt me personat e infektuar me covid dhe nuk e reduktoni kohën për izolim të pacientëve pozitivë, më 10.01.2022 nuk do të ketë kush të punojë në vend! Të gjithë do të jemi në izolim“, theksoi prof.dr. Niko Beqarovski, Institut i Toksikologjisë.
Lajm i mirë është se deri në fund të shkurtit do të arrijmë imunitet kolektiv dhe për festën e 8 marsit sërish do të luani valle, shton Beqarovski. E ministri i Shëndetësisë në largim, Venko Filipçe, para festave të fundvitit tha se nuk do të vendosen masa të reja kufizuese.
“Më duhet të them se unë personalisht mendoj se as për llojin omikron, e as për ndonjë lloj tjetër i cili do të paraqitet, nuk duhet të ketë kufizime shtesë. Konsideroj se të gjitha vendet duhet të mësojnë të jetojnë me rregullat e përgjithshme preventive dhe ta rrisin shkallën e vaksinimit. Kështu do të dalim nga kriza. Nuk mundemi që për çdo lloj, pavarësisht karakteristikave të tij, derisa nuk përkeqësohet situata, të vendosim masa shtesë kufizuese”, theksoi Venko FIlipçe, ministër në largim. (27.12.2021)
Ndryshe, sipas të dhënave statistikore, deri dje omikroni është detektuar te 9 raste, 8 prej të cilave nga Shkupi dhe një nga Koçani. Sipas autoriteteve kompetente, vaksinimi mbetet mënyra e vetme për dalje nga pandemia. Për momentin në vend kemi gjithsej 5.667 raste aktive.
