Drugova, lagje e re, por pa kanalizim e pa rrugë!

TË FUNDIT

Pa kanalizim, pa rrugë të asfaltuara dhe pa ndriçim publik.

Kështu duket lagjia e re e Drugovës, e cila së fundmi i është bashkangjitur qytetit të Kërçovës, e në të cilën sapo të futesh kundërmon erë e keqe, sepse kanalizimi derdhet në rrugë.

Në këtë lagje ka të ndërtuara mbi 50 shtëpi të reja, prej të cilave 30 janë të banueshme.

TV21 e pritën afro 20 persona të cilët banojnë aty, të cilët kërkonin që të kenë kushtet infrastrukturore.

Ata thanë se janë lodhur duke bërë kërkesa të panumërta prej vitesh, fillimisht në ish Komunën  e Drugovës, e së fundmi në Komunën e Kërçovës, e që kanë rezultuar pa sukses.

 “Ja disa vite ne kërkojmë nga Këshilli i komunës, nga kryetari i Komunës së Kërçovës, të na sigurojnë kanalizim së pari, pastaj të sigurohet edhe asfaltimi i rrugës dhe ndriçimi publik. Duke pasur parasysh se te gjithë kemi të vendosur aparaturë për rrymën, të gjithë paguajmë ndriçim publik, ndërsa këtu është kaos natën. Nuk mund njeriu të dal jashtë nëse nuk del me veturë për të kaluar, sepse ka qenë, patjetër të marrim ndriçim me vete”, tha një banor.

 “Kam qenë tek Fatmiri tre vite radhazi, deri kur e lash thash nuk vij, nuk kam çfarë të bëjë do e bëjmë do e bëjmë, disa rryma i kemi vendosur gabim jo këtë jo atë, tani ne gabimet s’mund ti paguajmë  duhet vetë ata ta kryejnë atë punë si duhet . Jetojmë në gjendje të keqe, jetojmë si arinjtë në mal, në shekullin 21 njeri të jetojë kështu nuk është mirë”, shtoi një banor tjetër.

 “Edhe herën e kaluar kur ishin zgjedhjet vinin përfaqësues nga komuna na kërkonin vota, tani derisa këto rrugë këtu nuk bëhen, nuk bëhet kanalizimi dhe ndriçimi publik, do t’i kisha lutur të mos vijnë asnjë për të mbledhur votues ose diçka të ngjashme, sepse kjo që kërkojmë, është nevojë e jona nuk mundet që çdo cikël zgjedhorë të marrim gënjeshtrat e njëjta”, u shpreh një tjetër banor.

Banorët ishin të vendosur që nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre ata nuk duan që për zgjedhje t’i vizitojë asnjë parti politike, sepse nuk do të jenë të mirëpritura. Siç thonë ata pasi që çdo cikël zgjedhor kanë marrë premtime që kanë mbetur vetëm në letër.

TV21 kërkoi përgjigje nga Komuna e Kërçovës në lidhje me këtë lagje por nga atje na thanë se pasi që janë shqyrtuar dhe zgjidhur të gjitha problemet pronësoro juridike në këtë lagje, rruga do të ndërtohet dhe është një nga rrugët me prioritet që komuna ka paraparë ti realizojë deri në fund të këtij mandati.

TË NGJAJSHME