Dita e tretë e debatit në Kuvend për ribalancin e buxhetit. Deputetët e pushtetit besojnë se rishikimi duhet të mbështetet maksimalisht sepse është në favor të standardit të qytetarëve në kushte të krizës. Ndërkaq opozita konsideron se rishikimi është joreal dhe me këto projeksione buxheti nuk do të qëndrojë as deri në fund të vitit. Nuk munguan as akuzat mes deputetëve. Bajram Kadrija nga BDI dhe Halil Snopçe nga ASh shkëmbyen akuza se kush vjedh e korruptohet më shumë!
“Qytetarët duhet ta dinë se për korrupsion flet ai që s’ka mundur ta kapë korrupsionin, sepse kur u jepet shansi, ju e katërfishoni, e pesëfishoni. E treta, flisni për nepotizëm, u është dhënë shansi në disa komuna, e keni pesëfishuar nepotizmin”- tha Bajram Kadrija, BDI.
“Nëse ka shembull eklatant të hajnisë në këtë shtet, jeni pikërisht ju. S’ka ekonomi më idiote se ajo e hajnit. Hajduti nuk shton kurrë, hajduti vetëm heq, të shter. Ne nuk jemi kapitalistë z.Bajram, ne fatkeqësisht kujtojmë se me hajdutllëk do të bëhemi kapitalistë”- u përgjigj Halil Snopçe, ASH
Me rishikimin e Buxhetit për vitin 2022, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 245,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale janë planifikuar në nivel prej 288,5 miliardë denarë. Deficiti është planifikuar në nivelin prej 42,7 miliardë denarë, përkatësisht 5,3% nga BPV. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 32,1 miliardë denarë, ndërsa rritja ekonomike është projektuar në 3,2 për qind.
