Distancohet Asociacioni për Fibrozë Cistike, pacienti akuzoi se po e dëbojnë nga Klinika

TË FUNDIT

Asociacioni për fibrozë cistike distancohet nga qëndrimet Igor Pehçevskit, pacient i sëmurë me fibrozë cistike, i cili dje akuzoi se është kërcënuar nga drejtoresha e Klinikës për fëmijë Stojka Fushtiq, për përjashtim nga Klinika nëse ankohet nëpër media se nuk ka terapi për atë. Nga Asociacioni thonë se pakënaqësitë personale të Pehçevskit, mund të shkojnë në dem të të gjithë pacientëve dhe të asaj që deri tash ka arritur Asociacioni.

“Në lidhje me zhvillimet e fundit dhe deklaratën e pacientit Igor Pehçevski, anëtar i Asociacionit për fibrozë cistike, Asociacioni distancohet nga qëndrimi personal i pacientit lidhur me trajtimin dhe tretmanin ndaj tij. Në të njëjtën kohë, si Asociacion i pacientëve nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë ankesë për qasjen dhe trajtimin profesional nga punonjësit shëndetësorë të cilët merren me këtë gjendje specifike shëndetësore. Përkundrazi, pikërisht për shkak të qasjes profesionale, respekti  ndaj tyre është i madh e sidomos ndaj profesoreshës Fushtiq”, thonë nga Asociacioni për Fibrozë Cistike.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Pehçevskit kundër Asociacionit. Duke ju drejtuar udhëheqësisë të këtij asociacioni, shkruan se kapedanët janë ata të fundit që e lëshojnë anijen, kurse në këtë rast ata e bënë të parët.

“Bashkë vuaj dhe po luftoj për të gjithë bashkëluftëtarët e mijë me fibrozë cistike, por qesh kur nënkryetari dhe kryetari të parët marrin ilaçin, kurse para se ta marrin ilaçin qajnë dhe nuk marrin asgjë, derisa një fëmijë të cilin askush nuk e njeh del me transparent nga shtrati i spitalit dhe kërkon “Trikaft për të gjithë”. Pastaj në emër të Asociacionit për fibrozë cistikë ku të gjithë duhet të jemi të barabartë organizojnë takime, grupe pune që për në fund të marrin ilaçin dhe pa turp distancohen nga lufta e një bashkëluftëtari”, tha Igor Pehçevski, pacient.

Për situatën e Pehçevskit është i informuar edhe ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhti.  Ai tha se ministria nuk vendos se kujt t’i ndahet ilaçi e kujt jo. Mexhiti shtoi se po punojnë që pacientet me fibrozë cistike të kenë ilaç në periudhë më të gjatë, më cilësor dhe më inovativ.

 “E di rastin e pacientit, por Asociacioni për fibrozë cistike ka qenë në media dhe ka një raport se distancohen nga ajo që thotë pacienti në fjalë. Besoni se nuk ka ekzistuar një Komsion për fibrozë cistike, ne prej para 3 javësh kemi formuar një komision prej të gjitha palëve, plus kemi thirrur edhe një përfaqësues prej organizatës për fibrozë cistike. Jemi duke i parë të gjitha procedurat dhe mundësitë që këtë problem njihere e përgjithmon ta rregullojmë”, pohoi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Drejtoresha Stojka Fushtiq dje e mohoi që Pehçev të jetë kërcënuar nga ana e saj për dëbim nga Klinika. Tha se pacientit i është ofruar që në festën e Pashkëve të qëndroj me familjen e tij, por pasi që ai ka refuzuar atëherë i është ofruar që të qëndroj deri të martën sepse gjendja e tij shëndetësore nuk është aq e keqe dhe mund të mbahet stabile me terapi intravenoze me antibiotikë deri sa të  mbërrijë ilaçi për të gjithë. Ministri Mexhiti mbështeti qëndrimin e drejtoreshës për të cilën tha se nuk dua të shtoj asnjë fjalë më shumë përtej asaj çfarë ka deklaruar Fushtiq.