Dikur arsimtar, tani mjek popullor! Me përzierje bimore pretendon se shërojë edhe virusin korona

TË FUNDIT

Bezho Tërpeski dikur ishte arsimtar, ndërsa pas pensionimit ka gjetur një punë të re. Ai mbledh bimë dhe përgatit ilaçe popullore të cilat i shet me një çmim të volitshëm, çdo të shtunë në tregun e Gjelbër të Kërçovës.

Tërpeski ka 76 vjet dhe deri më sot thotë se asnjëherë nuk ka përdorur medikamente, përveç bimëve. Bimët i mbledh gjatë verës edhe atë në pikë të ditës pasi që siç shpjegon, ato nuk mblidhen në mëngjes herët ose pasdite sepse me rëndësi janë farat e atyre bimëve.

 “I njoh bimët dhe e di se cila për çfarë përdoret dhe bëj edhe bimë të përziera, sepse kam literaturë të mjaftueshme dhe aty ka receta. Njerëzit janë shumë të kënaqur, kam mbi dhjetë vjet që punoj me këtë dhe janë shumë të kënaqur, deri më tani askush nuk më është ankuar, lavdërohen”, tha Bezho Tërpeski.  

Tërpeski me shumë dashuri tregon për kombinimet e tij që i bën me bimë dhe që janë shumë të kërkuara, si përzierja për shërimin e veshkave, prostatës dhe hemorroideve.

 “Kam ilaç për veshkat edhe për hemorroidet, për prostatë, sheqerin në gjak , lukthin etj. Përafërsisht mbi 20 lloje të përzierjeve të bimëve kam, ndërsa të tjera, të pa përziera kam 50, 60 lloje të bimëve”, u shpreh Bezho Tërpeski.

Sa i takon ilaçit bimor për koronavirusin ai thotë se ende nuk ka testuar diçka të veçantë, por mendon se një çaj, që ai ka bërë ndihmon në lehtësimin e kësaj sëmundjeje.

 “Ajo ende nuk është e testuar, por ja kohët e fundit mjaftueshëm kërkohet trumza për organet e frymëmarrjes për bronkopneumoni etj”, shtoi Bezho Tërpeski.

Mjeku popullor thotë se me ilaçeve natyrore ndihmon edhe në eliminimin e yndyrës në gjak, qarkullimin e gjakut, shërimin e plagëve e deri te djegiet e baktereve në lukth.