Dënime me 18 dhe 16 vjet burg për vrasjen e Totit! Josifoviq: Të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm për veprën

TË FUNDIT

Gjykata Penale shqiptoi 18 vjet burg për Anxhelo Gjorgjievskin dhe Klementina Levkovskan, ndërsa 16 vjet për Andrej Kostovskin për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot. Gjykatësja Elena Ilievska-Josifoviq shpjegoi se në marrjen e vendimit janë marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, por megjithatë tre të akuzuarit kanë marrë jetën e një njeriu.

 “Prova më e besueshme për gjykatën janë video incizimet nga kamerat e sigurisë në park dhe pamjet nga kamerat e “Safe City”. Në këto video-incizime qartë shihen të gjitha veprimet individuale dhe të përbashkëta të të pandehurve”, tha Elena Ilievska- Josifoviq, gjykatëse.

Sipas provave, Josivofiq tha se është e padiskutueshme se të akuzuarit kanë qenë në dijeni të veprimeve dhe pasojave që vijnë si shkak i goditjeve të njëpasnjëshme që i kanë bërë hendbollistit Tot. Sipas mjekeve goditja në kokë në një sipërfaqe të fortë ka qenë momenti kyç kur i ndjeri ka humbur jetën.

Megjithatë për avokatët këto dënime janë të papranueshme. Thonë se do të ankohen për kualifikimin ligjor të veprës “ vrasje me paramendim” dhe për lartësinë e dënimit.

 “Aktgjykimi është dragonik, dënim shumë i lartë dhe mendoj se një tragjedi nuk zgjidhet me një tragjedi tjetër. Kjo për neve është padrejtësi e madhe”, theksoi Ilija Tanev, avokat i Anxhelo Gjorgjievski.

 “Gjithsesi se për aktgjykimin do të ankohemi. Dënimi është shumë i lartë dhe vlerësoj se kundrejt të akuzuarës Klementina në asnjë rast nuk ekziston vepra penale “vrasje”. Po, ka ndërmarrë disa veprime dhe ka goditur, megjithatë nga goditja e saj nuk ka ndodhur vrasja”, pohoi Emil Guguçeski, avokat i Klementina Lefkovska.

Sipas prokurores  Tanja Trajçevska, ky lloj i dënimit për këtë lloj vepre është bërë në përputhje me ligjin. 

 “E dëgjuam aktgjykimin, deri sa nuk e marrim aktgjykimin në formë të shkruar do të përmbahemi nga komentet. Dënimi është në kuadër të kornizave të parashikuara me ligj, që do të thotë ky është vendim i gjykatës”, pohoi Tanja Trajçevska, prokurore.

Për të akuzuarit është shqiptuar edhe masa e paraburgimit, për shkak se sipas prokurores Trajçevska  të akuzuarit mund të arratisen. Përveç dënimit me burgim, Gjykata ka caktuar edhe dëmshpërblim për familjen e hendbollistit të vrarë, përkatësisht 9 milionë denarë (rreth 145.000 euro) për nënën dhe babanë dhe 8 milionë denarë (rreth 130.000 euro) për vëllain e Denis Totit. Kompensimi i përbashkët duhet të paguhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të aktgjykimit. Rasti me vrasjen e hendbollistit kroat ka ndodhur më 7 prill të këtij viti, para një lokali nate në parkun e qytetit në Shkup.