Komuna e Tetovës i kërkon ndihmë Qeverisë për dëmshpërblimin që duhet bërë ndaj familjeve që pësuan dëme në përmbytjet e së dielës. Këtë vendim e sollën mbrëmë në Shtabin e Krizës.
“Qeveria të ndihmojë në kompensimin financiar pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara ndaj personave fizik si dhe objekteve shkollore dhe infrastrukturës publike nga moti i lig që kaploi rajonin e Tetovës”, thonë nga Shtabi i Krizës i Komunës së Tetovës.
Kërkesat që dolën si Konkluzione të mbledhjes së Shtabit të Krizës, sot do t’i drejtohen edhe Qeverisë, me qëllim ndërmarrjen e masave në afat sa më të shkurt kohor, thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.
Të pyetur nëse do ta ndihmojnë Komunën, nga Qeveria thanë se gjithmonë ndihmon në rastet e fatkeqësive, por pa saktësuar se si do të ia bëjnë në këtë rast.
“Fokusi është kujdesi ndaj qytetarëve dhe në raste të tilla është që të u dal në ndihmë të gjithëve, përfshirë edhe njësive të vetëqeverisjes lokale. Qeveria miraton vendime për llojin dhe lartësinë e ndihmës. Në raste të këtilla, komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve dalin në terren dhe përgatisin procesverbal. Ata më pas bëjnë një raport përmbledhës ose elaborat dhe i dorëzojnë deri te Komisioni i Qeverisë për vlerësimin dhe menaxhimin e dëmeve”, thonë nga Qeveria.
Ndërkaq dy ditë më parë, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, u zotua se me ose pa ndihmën e Qeverisë, familjet e dëmtuara do të dëmshpërblehen.
“Po do dëmshpërblehen, unë po e them publikisht se do kishim dashur që t’i ndajmë pasojat me Qeverinë. Sidoqoftë kemi apo nuk kemi ndihmën e Qeverisë, i garantojnë të gjithë ata qytetarë që kanë pasur dëme nga shirat e rrëmbyeshëm, se do dëmshpërblehen në mënyrë adekuate nga komuna e Tetovës”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kryetar i Tetovës në “Click Plus” zbuloi se nga shirat e rrëmbyeshëm janë paraqitur rreth 75 shtëpi të dëmtuara, ndërsa ka edhe objekte shkollore dhe institucione komunale që kanë pësuar dëme materiale.
