Kontrolle më të rrepta për pushimet mjekësore! Mjeku amë do të japë deri në 5 ditë

TË FUNDIT

Fondi për Sigurim Shëndetësor paralajmëron kontrolle më të rrepta për pushimet mjekësore. Drejtori Zlatko Perinski njoftoi se do të propozohet ndryshimi i rregullores, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve. Një nga ndryshimet kryesore do të jetë ulja nga shtatë në pesë ditë e periudhës që mund ta caktojë mjeku amë pa komision mjekësor.

“Vlerësojmë se edhe pesë ditë në të ardhmen do të jenë të mjaftueshme për sigurimin e anamnezës shtesë ose për vazhdimin e pushimit mjekësor. Lehtësohet procedura për lëshimin e pushimit mjekësor për personat që nuk janë në gjendje të paraqiten fizikisht për ta marrë pushimin mjekësor”, tha Zllatko Perinski – drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor .

Perinski paralajmëroi kontrolle pas denoncimeve nga punëdhënësit, por edhe në mënyrë të rastësishme. Nëse kontrollori nuk e gjen të siguruarin në shtëpi, ai do të udhëzohet të paraqitet para komisionit mjekësor dhe të japë shpjegim.
Sipas Perinskit, gjatë kontrolleve në MPB janë konstatuar parregullsi në rreth 30 për qind të rasteve të kontrolluara, ndërsa keqpërdorime po evidentohen gjithnjë e më shumë edhe në sektorin privat.

“Tema e pushimeve mjekësore dhe pushimeve të lehonisë është gjithmonë e ndjeshme në opinionin publik. Ideja jonë nuk është t’i kufizojmë të drejtat për pushim mjekësor, por të parandalojmë keqpërdorimet gjatë shfrytëzimit të pushimeve mjekësore, pasi Fondi për Sigurim Shëndetësor për vitin 2026, në kuadër të buxhetit të tij, ka paraparë 6 miliardë e 454 milionë denarë, të dedikuara për pushimet mjekësore dhe pushimet e lehonisë”, dklaroi ai.

Perinski theksoi se qëllimi nuk është kufizimi i të drejtës për pushim mjekësor, por parandalimi i keqpërdorimeve.