Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që ta parandalojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në atë mënyrë që do të nënkuptonte ndarje apo “bosnjizim” të Kosovës.
Molliqaj, nga veprimet që do të ndërmerreshin, ka përjashtuar vetëm luftën, teksa ka folur në Interaktiv. Ai ka thënë se masat do të ishin më radikalet që Vetëvendosje i ka bërë deri tani.
“Çka do që kemi mundësi do të bëjmë përpos luftës. Do të bojkotojmë Kuvendin, do të bllokojmë Kuvendin dhe institucionet tjera të Kosovës. Do të bllokojmë edhe pallatet e politikanëve që janë pasuruar me para të popullit”, ka thënë Molliqaj.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk e kupton se “përse dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit midis Beogradit dhe Prishtinës, prej Kosovës vijnë kërcënime me luftë”.
“Diçka e çuditshme po ndodh në rajon, sikur të gjithë po i tregojnë muskujt. Ne jo. Këtë politikë nuk e pranojmë”, ka thënë Vuçiq, pa specifikuar nëse e ka fjalën për deklaratat e sekretarit organizativ të partisë më të madhe opozitare në vend.
Por qëndrimi i Molliqajt i shfaqur në Interaktiv, e ka nxitur reagimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Branimir Stonajoviq.
Në një komunikatë për media ai ka thënë se institucionet përkatëse duhet ta vërtetojnë se për çfarë bëhet fjalë.
“Ftoj të gjitha institucionet kompetente ta pyesin Molliqajn dhe të vërtetojnë se çfarë mendon ai kur thotë se vetëm lufta do të mungojë? A mos planifikon ai ndonjë 17 mars të ri? Ftoj KFOR-in dhe të gjitha strukturat e sigurisë që seriozisht të kuptojnë këto kërcënime dhe të ndërmarrin çdo gjë që është e nevojshme që t’i parandalojnë sulmet dhe dhunën ndaj kujtdo në Kosovë, e edhe ndaj serbëve, më të ekspozuarit në shënjestër”, ka thënë Stojanoviq.
Sipas tij detyrim i institucioneve kompetente është ta konfirmojnë seriozitetin e kërcënimeve të thëna.
Ndërkaq, duke komentuar zhvillimet e fundit sa i përket Gjykatës Speciale dhe debatit të fundit në Kuvend për këtë, Molliqaj ka akuzuar rëndë kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Të dy i ka quajtur banditë, të cilët ka thënë se nuk kanë luftuar kurrë, përcjell koha.net. Sipas Molliqajt, ata kanë vjedhur paratë e mërgimtarëve, teksa i ka quajtur edhe bashkëpunëtorë të Serbisë.
