Dainov: Bullgarët janë në histeri/ “Secili që mendon se dikush mund t’ia vjedhë identitetin, nuk ekziston”

TË FUNDIT

Mbrëmë në “Click Plus” të TV21 mysafir ishte Goran Rizaov nga “Metamorfozis” me të cilin u fol për lajmet e rreme. Sa u takon lajmeve për hapjen e klubit kulturor bullgar në Manastir, Rizaovi deklaroi se synimi i këtyre lajmeve ka qenë nxitja e gjuhës së urrejtjes. Është fakt se çdo rast apo ngjarje mes Maqedonisë dhe Bullgarisë fqinje përdoret për ta shtrembëruar të vërtetën.

“Kemi rast ku njerëzit të cilët para 5-6 vjetëve lavdëronin Vanço Ivanovin, tani e quajnë fashist. Kjo ishte kontradiktore, por për fat të keq opinioni publik shumë pak i mban mend këto gjëra”- deklaroi Goran Rizaov, “Metamorfozis”.

Profesori bullgar, Evgeni Dainov, tha se kryeministri i Bullgarisë dhe Qeveria bullgare bëjnë gjithçka për t’i lëvizur punët përpara, por se këtë e pengojnë dy partitë e koalicionit “Ka popull të tillë” dhe BSP, ish-partia komuniste. Ai shton se çdokush që mendon se një vend tjetër mund t’ia vjedhë historinë ose identitetin, ai njeri nuk ka më identitet. Dainovi nënvizon se në Bullgari 80% e bullgarëve kanë dashur që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, kurse tani, 3 vjet më vonë 60% nuk e duan këtë.

“Ai njeri është si një vrimë, hapësirë boshe. Ai është si një vakum. Kur ke vetëbesim, ti e di kush je. Askush nuk mund të ta vjedhë as historinë, e as identitetin, por bullgarët janë kapluar nga kjo histeri dhe ndihen të dobët, pa identitet dhe mendojnë se dikush mund t’ia vjedhë historinë. Kjo nuk mund të ndodhë. Të gjitha kontestet historike kanë të bëjnë me të kaluarën, nuk kanë të bëjnë me mua tani dhe me mua në të ardhmen”- Pohoi Evgeni Dainov, profesor.

Bullgarët janë në histeri, ndihen të dobët, pa identitet dhe mendojnë se dikush mund ta vjedhë historinë e tyre, shton ai. Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë, sepse mjedisi është “i helmuar” dhe unë kam frikë se nëse nesër tërhiqet vetoja, këtu do të ndodhë rebelim prorus. Janë të përgatitur dhe kanë lista me njerëz të cilët do t’i mbyllin, përfundon profesori Dainov.