Eisenkot mori mandatin, Netanyahu kërkon të jetë në krye të qeverisë së re

TË FUNDIT

Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar që të jetë ai në krye të qeverisë së ardhshme të unitetit, duke argumentuar se partia e tij, Likud, doli e para në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi presidenti izraelit, Isaac Herzog, i besoi zyrtarisht liderit të opozitës, Gadi Eisenkot, detyrën për formimin e qeverisë së re.

Në një video të transmetuar nga mediat izraelite, Netanyahu e cilësoi krijimin e një qeverie uniteti si domosdoshmëri për vendin, duke bërë thirrje për një koalicion që përfshin të gjitha partitë sioniste dhe ultraortodokse.

“Një qeveri uniteti është një nevojë thelbësore, është nevoja e momentit”, deklaroi ai.

Netanyahu argumentoi se Likud duhet të udhëheqë qeverinë, pasi siguroi rreth 250 mijë vota më shumë se partia e renditur e dyta.

Në zgjedhjet e 27 tetorit, Likud fitoi 27 nga 120 vendet në Knesset, ndërsa partia Yashar e Gadi Eisenkotit siguroi 21 mandate. Megjithatë, blloku i Netanyahut mori vetëm 53 vende, duke mos arritur shumicën prej 61 mandatesh të nevojshme për formimin e qeverisë.

Gjatë konsultimeve të presidentit Herzog, 67 deputetë rekomanduan Eisenkotin për kryeministër, 46 mbështetën Netanyahun, ndërsa shtatë të tjerë nuk rekomanduan asnjërin prej kandidatëve.

Herzog, ndonëse pranoi se Likud ishte partia më e madhe, vuri në dukje se shumica e deputetëve kishin shprehur mbështetje për Eisenkotin.

Nga ana e tij, Netanyahu deklaroi se është i gatshëm të nisë negociatat me çdo forcë politike që pranon të diskutojë krijimin e një qeverie uniteti.

“Nuk po përjashtoj askënd dhe askush nuk duhet të përjashtojë askënd. Mjaft me bojkotet”, u shpreh ai, duke u bërë thirrje partive sioniste dhe ultraortodokse të bashkojnë forcat./EN