Çfarë do të sjellin negociatat Zaev-Gashi? Kovaçki dhe Despotovski për ndarjen e resorëve

TË FUNDIT

Çfarë do të sjellin negociatat Zaev-Gashi? Për këtë temë dje në emisionin Klik Plus debatuan Jovan Despotovski nga LSDM-ja dhe Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas Kovaçkit duhet të shihet nëse perspektiva evropiane e Maqedonisë, për të cilën Alternativa pohon se është arsyeja për negociatat me LSDM-në, do të ndikojë edhe në ndarjen e resorëve.

“Të shohim se cilët resorë do t’i marrë Alternativa nëse hyjnë në Qeveri, cilët resorë do t’ua japë Zoran Zaev. E di se Zoran Zaev është i gatshëm të shpëtojë veten dhe atë që ka arritur ta bëjë gjatë periudhës së fundit , është i gatshëm të japë gjithçka në dëm të LSDM-së, të shohim nëse do t’i marrin resorët për çështje evropiane, nëse do të marrin zv/kryeministër për çështje evropiane dhe ministër të jashtëm”, tha Kovaçki.

Sipas Despotovskit, negociatat me Alternativën janë me qëllim për të pasur institucione funksionale, në vend të parë, Kuvendin. Shtoi se dy resorë nuk mjaftojnë për të hyrë në Evropë.

“Procesi i aderimit në BE-në nuk nënkupton vetëm dy resorë. Të gjithë resorët punojnë horizontalisht në këtë problematikë, për shkak se isha angazhuar me vite të tëra dhe mund t’ju tregoj se pjesërisht me përjashtim ndoshta të Ministrisë së Mbrojtjes, edhe pse edhe kjo Ministri në një farë mënyre hyn në një prej kapitujve, të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera hyjnë në një prej 35 kapitujve për të cilin duhet të negociohet”, tha Despotovski.

Tema e zgjedhjeve të parakohshme ishte e pashmangshme edhe në këtë debat. Zaev i humbi zgjedhjet, ai nuk është legjitim dhe nuk mund të vazhdojë në të njëjtën rrugë, tha Kovaçki. Kundërpërgjigja e Despotovski ishte se nuk ikin nga zgjedhje, megjithatë tani kjo nuk i duhet shtetit.

Pritet që nesër Alternativa të vendosë nëse do të hyjnë në Qeveri.