Me paraqitjen e provave vazhdon gjykimi për rastin ‘Lotaria Shtetërore’

TË FUNDIT

Me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria Publike, sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup vazhdon gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku mes të akuzuarve janë edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore”, Perparim Bajrami, përcjell TV21.

Në seancën e kaluar, Prokuroria prezantoi dokumentacion të gjerë lidhur me themelimin e shoqërisë së përbashkët me një partner të huaj, vendimet e Qeverisë, si dhe transaksionet financiare që lidhen me furnizimin me terminale videolotarie (VLT).

Në sallën e gjyqit u paraqitën edhe Programi i Punës së SHA “Lotaria Shtetërore” për vitin 2023, një kontratë për kryerjen e një shërbimi dhe një vlerësim i përgatitur nga një vlerësues i autorizuar për vlerën dhe leverdishmërinë e investimit në terminalet e videolotarisë, si dhe informacioni i dorëzuar në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë për nevojën e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit, së bashku me analizën e tregut.

Prokuroria iu referua edhe provave që dalin nga seanca e 158-të e Qeverisë, e mbajtur më 6 qershor 2023 – renditja e propozuar e pikave të ditës, shënimet stenografike, procesverbalet, konkluzionet e Qeverisë dhe vendimi për miratimin e punës së Bordit Drejtues të “Lotarisë”, si dhe mendimi i Ministrisë së Financave.

Si prova materiale janë dorëzuar edhe urdhërpagesa në valutë, ekstrakte bankare nga “Halk Bank”, kartela analitike për operatorët ekonomikë “Eurogames Technology”, “Sinot” dhe “Shpedicija MKD”, si dhe dhjetëra formularë për realizimin e faturave, fatura dhe fletë-dërgesa për pajisjet e blera.

Përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të “Lotarisë”, Perparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë rast gjyqësor akuzohen edhe Bashkim Avdiu, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadamoski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Ata akuzohen se, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh.

Të gjithë të akuzuarit, gjatë fazës së mëparshme të procedurës, janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat që u ngarkohen.

Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin gjyqësor e drejton gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski.