Digjen makineritë për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë, Beqiri: Nuk na ndal askush

TË FUNDIT

Makineritë që po përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë janë djegur, njoftoi kryetari i Komunës së Haraçinës, përcjell TV21. Ai tha se rasti po hetohet nga organet e rendit dhe bëri thirrje që përgjegjësit të zbulohen dhe të përballen me drejtësinë. Kryetari i Haraçinës theksoi se incidenti nuk do ta ndalë projektin dhe se punimet për ndërtimin e stadiumit do të vazhdojnë deri në përfundimin e tij.

“Djegia e makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës është një goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të Haraçinës. Organet e rendit po hetojnë rastin dhe bëjmë thirrje që rasti të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Por një gjë duhet të jetë e qartë: NUK NA NDAL ASKUSH. Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet. Haraçina ka pritur 50 vite për këtë ditë. Nuk do të kthehemi prapa. Ata që duan ta ndalin zhvillimin, le ta dinë një gjë: Haraçina ka zgjedhur të ecë përpara. Sot mund të digjen makineri. Por nuk digjet vullneti për të ndërtuar. Stadiumi do të ndërtohet. Shkëndija do ta ketë shtëpinë e saj. Dhe një gjë tjetër duhet ta dinë të gjithë: nuk më frikësoni. Nuk ndalem përballë presionit, kërcënimeve apo pengesave. Unë do ta çoj këtë projekt deri në fund. Nuk ndalem derisa fëmijët e Haraçinës të shkelin në fushën e stadiumit të tyre. STADIUMI I SHKËNDIJËS DO TË NDËRTOHET!”, ka shkruar Daut Beqiri, kryetar i komunës së Haraçinës.