Liderët e partive politike shqiptare nga vendi sot në Tiranë takohen me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. I vetmi që nuk do të ulet në këtë tavolinë është Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa. Nga kjo parti thonë se Ahmeti dhe Grubi po e përdorin Ramën për t’i nxjerrë nga balta ku janë zhytur tash e dy dekada.
“Edhe kësaj here, Artan Grubi dhe Ali Ahmeti, duke mos ditur se si të gjinden në këtë situatë të krijuar politike në Maqedoninë e Veriut, ata iniciuan gjoja se një takim me kryeministrin shqiptar, duke e përdorur edhe një herë atë dhe autoritetin e tij, për t’i nxjerrë nga balta ku janë zhytur tash e dy dekada. Është pikërisht kjo, arsyeja që Lëvizja BESA dhe Kryetari Bilall Kasami, nuk do të ulet në një tavolinë me ata që dështuan të drejtojnë qeverinë në vend”, thonë nga Lëvizja Besa.
Njëjtë sikurse BESA edhe deputeti i pavarur Skender Rexhepi – Zejdi nuk e përkrah dhe nuk e sheh të frytshëm këtë takim.
“Konsideroj se edhe ky takim do të shpëtojë, por do ta shohim nga dita e nesërme se kë do të shpëtojë. Realisht shqiptarët janë vetë të aftë të mblidhen dhe të organizojnë tryeza të përbashkëta shqiptare këtu në Maqedoni, nuk ka nevojë të shkojmë as në Shqipëri e askund tjetër, pasi që konsideroj që mentaliteti politik ka ardhur koha të tregojë pjekurinë e lartë dhe ka ardhur koha që partitë shqiptare të vendosin vetë për fatin e shqiptarëve këtu. Gjithsesi përveç se do të pinë kafe e do të hanë drekë a darkë, diçka tjetër nuk ka pozitive”, tha Skender Rexhepi Zejd – deputet i pavarur.
Opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE këtë zhvillim e sheh si tentativë për shpëtim të qeverisë, Kovaçevski-Ahmeti.
“Karriera e Kovaçevskit përbëhet nga realizimi i dëshirave të Ahmetit, për këtë arsye tani Ahmeti po i hedh gomë për shpëtim të karrierës politike, e për shkurt kohë do të shohim edhe shërbëtorin e dytë Dimitar Apasiev se si pa asnjë vepër konkrete e luan patriotin. Ky takim në Tiranë bëhet me kërkesë të LSDM-së dhe Kovaçevskit që të marrin ndihmë për të vazhduar mandatin e qeverisë e si kthim të realizohen politika në dëm të Maqedonisë”, tha Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi dje se takimi i sotëm në Tiranë është një takim i Vitit të Ri me qëllim të shkëmbimit të mendimeve për çështjet aktuale në rajon dhe apeloi që të mos krijohet “një lloj konspiracioni” në lidhje me të. Takimi është caktuar në mbrëmje në ora 19:30.
