Banorët e komunës së Çairit, të Butelit dhe rrethinës, përfshirë disa shkolla dhe institucione shëndetësore, prej dje janë pa ngrohje qendrore. Ngrohtorja “Veri” nuk mund të furnizojë me ngrohje 500 objekte që janë nën ombrellën e saj. Drejtori i ngrohtores, Kushtrim Ramadani, thotë se nuk mund të sigurojë gaz sepse në buxhet nuk i ka as 1000 euro.
“Ditën e djeshme në mungesë të mjeteve financiare “GAMA” na ka shkyçur me urdhëresë të furnizuesit tonë “Promgaz” nga sistemi i gazit kështu që nuk jemi në gjendje të prodhojmë energji termike dhe të furnizojmë qytetarët”, tha Kushtrim Ramadani, drejtor i Ngrohtores “Shkup Veri”.
Ramadani ka kërkuar ndihmë nga EMV-ja dhe Qeveria por nuk ka marrë përgjigje pozitive. Thotë se po diskriminohen, ngaqë EMV po ndan mjete vetëm për dy ngrohtore tjera.
“Prapë janë alokuar mjetet në dy ngrohtore tjera në ditët e kaluara me vendim të qeverisë, prej ku ndajnë mjete për blerjen e energjisë termike nga “TE-TO” për dy ngrohtoret e tjera kurse për ne më datë 10 kemi marrë përgjigje negative me ofertën që ia bëmë EMV-së për kontratën. Oferta jonë është ajo që ka qenë nga fillimi, siç kemi thënë çmimi i aprovuar nga KRrE-ja që është diku 68 denarë për metër kub gaz dhe çmimi real që është në treg që e blejmë ne, domethënë dallimi të na kompensohet në mënyre që ne të jemi likuid dhe ta paguajmë gazin”, deklaroi Kushtrim Ramadani, drejtor i Ngrohtores “Shkup Veri”.
I pyetur për problemin, drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski para disa ditësh e porositi Ramadanin që t’i rregullojë punët formale dhe ligjore, një herë me KRrE-në dhe çështjet tjera juridike dhe më pas të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëpunim tekniko-afarist. Për ta ndihmuar me 1 milion euro ngrohtoren, nga EMV kërkojnë që “Shkup Veriu” të sigurojë me pronë, mirëpo Ramadani thotë se nuk do të nënshkruajë marrëveshje të këtillë sepse është e jashtëligjshme.
