Bllokadë aktive duke qëndruar në korridor/ Xhaferi priti një orë e gjysmë që opozita të hyjë në sallë

TË FUNDIT

Një orë e gjysmë kryeparlamentari Talat Xhaferi i priti deputetët që të mblidhen dhe të fillojë seanca, megjithatë nuk u sigurua kuorum për shkak se deputetët e opozitës nuk hynë në sallë. Shumica nuk arriti që ta sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve, ndërsa situatën e këtillë opozitarët e ndiqnin para dyerve të sallës. Xhaferi disa herë i thërriti që të hyjnë.

“Për herë të fundit i thërras deputetët që po qëndrojnë nëpër korridoret e Kuvendit, të hyjnë në sallë. Qytetarë të nderuar, seanca e sotme është caktuar më 26 maj të 2020 dhe duhej të mbahej në orën 11. Në seancën e sotme janë nënshkruar 97 deputetë por edhe ata nuk hyjnë brenda. Unë po pres një orë e gjysmë, andaj e ndërpres punën e kësaj seance”- deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Nga LSDM-ja me qëndrim se opozitarja VMRO-DPMNE sillet me hipokrizi duke dorëzuar ligje e pastaj nuk hyn në sallë për të diskutuar për këto ligje. Në lidhje me atë se disa prej deputetëve të shumicës munguan në seancën e sotme për të siguruar kuorum, deputetja Sanella Shkrielj tha se një pjesë prej tyre janë të sëmurë.

“Janë kaq hipokritë që sot nuk e panë të arsyeshme të marrin pjesë dhe të diskutojnë për propozimet e tyre. Sot në mëngjes, para se të fillojë seanca mbajnë konferenca për media dhe aktrojnë sikur të jenë të shqetësuar për sjelljen e propozimeve të tyre, kurse në mesditë i shohim nëpër korridoret dhe nuk hyjnë në sallë për të nisur debati mbi propozimet e njëjta. Kishte 60 deputetë të pranishëm nga shumica, ishte paralajmëruar dhe kolegët e opozitës e dinë se kemi deputetë me probleme shëndetësore”- tha Sanella Shkrielj, LSDM.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së që po qëndronin në korridor, dhanë vetëm koment të shkurtër se shumica nuk mund të sigurojë numër të mjaftueshëm deputetësh që të nisë seanca, duke shtuar se nuk e kanë ndërmend të hyjnë dhe të bëjnë kuorum. Në sallë nuk hynë as deputetët e Aleancës për shqiptarët.

Opozitarja VMRO-DPMNE tashmë gjatë kohë po bën bllokadë aktive në Kuvend, gjegjësisht nëse nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për mbajtjen e seancës, ata nuk hyjnë në sallë, e në qoftë se sigurohet kuorum, atëherë vijnë dhe vazhdimisht paraqiten për debat, kryesisht me vërejtje procedurale, duke pamundësuar që të votohet rendi i ditës. I tillë ishte edhe rasti në seancën e djeshme, e cila zgjati deri në orën 3 pas mesnatës, kur u arrit vetëm të votohet rendi i ditës.