“Bletët më shëruan dhe sot janë jeta ime”, rrëfimi i Koles – nga lufta me kancerin te dashuria për bletarinë

TË FUNDIT

Në fshatin Milincë të Kërçovës, po edhe më gjerë, Kole Ilijoski njihet për përkushtimin e tij ndaj bletëve dhe cilësinë e jashtëzakonshme të mjaltës. Sot ai është 73 vjeç dhe ka mbi 30 vite që merret me bletari – një rrugëtim që nisi në rrethana të pazakonta.

Ishte diagnostikuar me kancer në fyt, pikërisht tek telat e zërit, dhe pas operacionit, mjeku i rekomandoi të përdorte mjaltë për shërim. Jo vetëm që e dëgjoi këshillën, por shkoi edhe më larg – vendosi të fillojë të mbajë bletë. Kështu lindi një dashuri e re që u kthye në mënyrë jetese.

“Po merrem 30 vite me bletari. Ideja më erdhi kur u operova nga kanceri në fyt. Profesori i tha gruas sime: ‘Zbrit poshtë, blej mjaltë nëse do të përmirësohet, madje nisni edhe të mbani bletë.’ Dhe po atë vit fillova t’i ruaj në fshatin Milincë”, tha Kole Ilijoski – bletar.

Në kulmin e angazhimit të tij, Kole arriti në 170 koshere dhe prodhonte deri në 3 ton mjaltë në vit. Sot, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe sfidave të tjera, numri i koshereve është ulur, prodhon rreth 110-114 kg mjaltë në vit, të cilin e shet të gjithin përmes klientëve besnikë.

“Ndryshimet klimatike kanë ndikuar shumë. Bletët filluan të vdesin, dhe sasia e mjaltit ra. Tani nxjerr diku tek 110, 114 kg në vit – varet nga moti. Por gjithmonë e shes të gjithin, kam klientët e mi që ma kërkojnë dhe ua ruaj”, shtoi Kole Ilijoski – bletar.

Përgjatë viteve, ai ka studiuar dhe kuptuar thellësisht natyrën e bletëve. Ajo që e shqetëson kohëve të fundit është ndikimi i luftës në Ukrainë, për të cilën thotë se ka ndikuar negativisht në cilësinë e polenit.

“Ndryshimet klimatike janë të parat. Dy muaj me temperaturë mbi 40°C, nuk kishte polen, dhe bletët e vogla vdiqën. E treta është lufta në Ukrainë – nga të shtënat ngrihet pluhur që ndot polenin. Bletët nuk e konsumojnë dot, sepse është helm. Bari, pemët, gjithçka është e helmuar nga ai pluhur”, pohoi Kole Ilijoski – bletar.

Edhe pse i operuar dhe pa zë të plotë, Kole vazhdon të kujdeset për bletët me shumë dashuri. Sot, pasionin e tij e ndan me dy vajzat, të cilave u ka dhuruar nga 40 koshere secilës. Së bashku, ata ofrojnë mjaltë cilësor për komunitetin. “Për të mbajtur bletë, duhet mbi të gjitha dashuri, sinqeritet dhe përkushtim” thotë ai me krenari, duke ju sugjeruar të gjithëve të merren me bletari.